"Ne si komb kemi bërë gjithçka që kemi mundur, kemi duruar shumë poshtërime dhe kemi pranuar shumë marrëveshje të këqija për shkak të perspektivës sonë evropiane dhe anëtarësimit në NATO", deklaroi kryeministri Hristijan Mickoski në fjalimin e tij gjatë ngjarjes së Këshillit Atlantik, kushtuar së ardhmes së marrëdhënieve transatlantike në Ballkanin Perëndimor.
Frustrimet mes qytetarëve të vendit tim janë jashtëzakonisht të mëdha. Dëshmoj se në kohën kur ishim në opozitë në vitin 2018, shumë njerëz nga e gjithë bota, zyrtarë të lartë të BE-së, kryeministra të vendeve të fuqishme të NATO-s, presidentë, anëtarë të Komisionit Evropian, na vizitonin dhe na thoshin, vetëm ndryshoni emrin këtë herë, menjëherë do të bëheni anëtarë të NATO-s, do të filloni negociatat me BE-në dhe do t’i përfundoni brenda 4-5 vjetësh dhe do të bëheni pjesë e BE-së. Ato 4-5 vjet kaluan para dy vitësh dhe ne jemi në të njëjtën situatë si para 20 vitëve, por në ndërkohë e ndryshuam flamurin, valutën, emrin dhe gjithçka.
Kryeministri theksoi se tani përpara nesh është një kërkesë e re për ndryshimin e Kushtetutës dhe se kjo nuk garanton siguri në rrugën eurointegruese.
"Më tregoni një rast të dytë në Evropë që është të paktën nga larg i ngjashëm me tonin, nuk po flas për diçka afërsisht të ngjashme. Këtë herë thamë, nëse Pacta sunt servanda zbatohet për ne, atëherë le të zbatohet për të gjithë, nëse ne i përmbushim detyrimet tona, presim që edhe të tjerët t’i përmbushin të tyret," tha Mickoski dhe shtoi:
"Prandaj tani po udhëtoj nëpër botë për ta përhapur historinë e fatit maqedonas, i cili është një shembull tipik i standardeve të dyfishta."
"Ne tani duhet të përfshijmë disa qindra bashkëqytetarë tanë në preambulën e Kushtetutës, e cila është një përshkrim i Kushtetutës sonë. Po flasim për komunitetin bullgar.
Në Kushtetutën tonë kemi maqedonas, shqiptarë, serbë, turq, boshnjakë, vllehë, etj., dhe nëse e analizojmë këtë çështje nga ai këndvështrim, nuk duket si diçka e madhe. Por pse duhet t’i përfshijmë në preambulë? A po flasim për të drejtat e njeriut, ndoshta dikush po i shkel të drejtat e njeriut të komunitetit bullgar?
Kush jemi ne, politikanët, që të gjykojmë nëse të drejtat e dikujt janë shkelur? Në Evropë ekziston një institucion i quajtur Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg, e cila është përgjegjëse për të vendosur nëse të drejtat e dikujt janë shkelur apo jo. Dhe çfarë thotë ky institucion gjatë viteve të fundit? Kanë qenë të qartë, 14 herë janë shkelur të drejtat e komunitetit maqedonas në Bullgari dhe 0 herë ato të komunitetit bullgar në Maqedoni. Katërmbëdhjetë kundrejt zero.
Si ta shpjegojmë këtë tek qytetarët, pse po e bëjmë këtë dhe nuk fitojmë asgjë në këmbim. Prandaj themi se kjo nuk është çështje thelbësore, sepse negociatat nënkuptojnë forcimin e institucioneve, përmirësimin e kapaciteteve të tyre dhe jo zgjidhjen e çështjeve bilaterale. Ne kemi thënë se do ta përfundojmë këtë proces vetëm pasi të kemi përfunduar negociatat, sepse kemi frikë se kjo mund të kthehet në një histori të pafundme me kërkesa të reja e të reja dhe askush nuk e di se kur do të përfundojë" – theksoi kryeministri Mickoski në ngjarjen e organizuar nga Këshilli Atlantik në Uashington.
Kryeministri Mickoski theksoi se kur flitet për të ardhmen evropiane, duhet të flitet për vlerat e përbashkëta, për inteligjencën artificiale, për një mjedis të shëndetshëm, për ekonominë, për një arsim më të mirë dhe jo për diçka që ka ndodhur në mesjetë.
Sipas tij, ballkanizimi i Bashkimit Evropian është problem, sepse nëse institucionet në Bruksel keqpërdoren për zgjidhjen e çështjeve bilaterale, atëherë kjo është krejtësisht ndryshe nga ideja e Degasparit, Shumanit dhe Adenauerit, themeluesve të Bashkësisë Evropiane.