Perinski në Çair: Së bashku vazhdojmë të ndërtojmë harmoni multietnike dhe zgjidhje për të gjitha sfidat

Ministri i Vetëqeverisjes Lokale, Zllatko Perinski, së bashku me zëvendësin e tij, Erxhan Selimi, sot vizituan Komunën e Çairit në Shkup, si pjesë e vizitave në terren të komunave në kuadër të iniciativës “Ku zemra është në shtëpi”.

Në takimin e punës me kryetarin e komunës, Visar Ganiu dhe anëtarët e Këshillit Komunal, u diskutua për procesin aktual të ndryshimeve në Ligjin për Vetëqeverisje Lokale, për decentralizimin, si dhe për mundësitë e tejkalimit të disa problemeve me të cilat përballet Komuna për shkak të qasjes neglizhuese të Qytetit të Shkupit dhe për ndryshimet e mundshme në Ligjin për Qytetin e Shkupit. Nga Komuna informuan gjithashtu për projektet aktuale që po realizohen dhe përgatitjet për pjesëmarrje në thirrjen e dytë publike për mbështetje financiare të projekteve infrastrukturore, të cilat do të financohen nga buxheti shtetëror.

Ministri Perinski theksoi se Komuna e Çairit është një nga simbolet e rëndësishme të traditës multietnike dhe multikulturore në Shkup dhe, njëkohësisht, specifike për disa rrethana të tjera.

“Komuna e Çairit ka 63.000 banorë dhe shtrihet në vetëm 3.5 kilometra katrorë, që do të thotë një numër i madh banorësh në një territor të vogël, gjë që vetvetiu paraqet sfidë për të përmbushur plotësisht nevojat e qytetarëve. Ne si Ministri dhe si Qeveri vazhdojmë të punojmë së bashku me komunat për të krijuar kushte për një jetë më të mirë për të gjithë qytetarët tanë, pa dallim përkatësie etnike apo fetare. Më e rëndësishmja është të zgjidhim sfidat që sjell jeta urbane, të dëgjojmë nevojat e qytetarëve dhe të investojmë për të tejkaluar të gjitha sfidat,” deklaroi ministri Perinski.
Kryetari Ganiu shprehu mirënjohje për transparencën, bashkëpunimin dhe vazhdimësinë e partneritetit me Ministrinë e Vetëqeverisjes Lokale, si dhe për mbështetjen financiare të Qeverisë për realizimin e projekteve infrastrukturore komunale.

“Gjatë kësaj periudhe kemi pasur shumë takime ku kemi debatuar për ndryshimet në Ligjin për Vetëqeverisje Lokale dhe besoj se së bashku do të krijojmë një Ligj që do të mundësojë komuna më funksionale, në të mirë të qytetarëve. Po bashkëpunojmë edhe në bazë të thirrjeve publike për mbështetje financiare të projekteve komunale. Mjetet për projektet e thirrjes së parë tashmë na janë paguar 100%, ndërsa po përgatitemi të aplikojmë me 25 projekte për thirrjen e dytë. Kjo Qeveri ka treguar me vepra se nuk i ndan komunat mbi asnjë bazë, por sinqerisht është e përqendruar në tejkalimin e sfidave me të cilat përballen komunat dhe qytetarët, me dëshirën për zhvillim dhe përparim më të madh të të gjitha vetëqeverisjeve lokale,” theksoi kryetari Ganiu.

Vizita e ministrit Perinski në Komunën e Çairit do të vazhdojë nesër me takim me të gjithë qytetarët e interesuar, përfaqësues të organizatave joqeveritare, punonjës të sportit dhe kulturës, të cilët dëshirojnë të japin propozime dhe sugjerime për përparimin e Komunës. Takimi do të mbahet në ora 18:30 në shkollën fillore “Ismail Qemali”.