Shënojmë fillimin e dy projekteve të mëdha, njëri është rikonstruksioni i Spitalit Ushtarak me vlerë prej 12 milionë euro dhe tjetri është ndërtimi i një godine të re administrative me zgjerimin e hapësirës për pasagjerët në vlerë prej 2,7 milionë euro, ose gjithsej 14,7 milionë euro për këto projekte kapitale shumë të rëndësishme, theksoi sot në konferencë për shtyp zëvendëskryeministri dhe ministër i transportit, Aleksandar Nikolloski.
Projekti për rikonstruksionin dhe adaptimin e spitalit përfshin rikonstruksionin e pjesës kirurgjikale, shtatë sallave operative, hapësirës për kujdes intensiv, rikonstruksionin e laboratorëve, monitorimin qendror, ashensorëve, çatisë dhe sistemit të ngrohjes dhe ftohjes. Siç theksoi zëvendëskryeministri, kjo do të ndihmojë në përmirësimin e cilësisë së kushteve për pacientët.
Projekti parashikon rikonstruksionin e pjesës kirurgjikale me sipërfaqe totale prej 2000 m², shtatë salla operative, nga të cilat dy do të jenë për kirurgji abdominale, dy për ndërhyrje urologjike, një për vesh, hundë dhe fyt dhe një për kirurgji okulistike dhe për herë të parë, do të zbatohet kirurgjia robotike, diçka që deri më tani e kemi parë vetëm jashtë vendit. Po ashtu, është parashikuar kujdes intensiv me sipërfaqe prej 500 m², me shtatë bokse të pajisura plotësisht për pacientët me shtretër modernë dhe monitorim qendror nga personeli mjekësor, do të ketë gjithashtu hapësira ndihmëse prej 800 m², sterilizim dhe laborator biokimik me një sipërfaqe prej 100 m², laborator mikrobiologjik prej 80 m², laborator për patologji, i cili do të ndihmojë shumë pacientët onkologjikë, si dhe laborator të mjekësisë transfuzionare. Projekti gjithashtu përfshin rikonstruksionin e çatisë, instalimin e një sistemi efikas të ngrohjes dhe ftohjes, si dhe rikonstruksionin e ashensorëve, me të cilat sipas planit, deri në fund të tetorit pritet që Spitali "8 Shtatori" të jetë rikonstruktuar plotësisht, duke sjellë përfitime të mëdha për qytetarët, theksoi zëvendëskryeministri Nikolloski.
Sa i përket projektit për aeroportin e Ohrit, ai njoftoi ndërtimin e një godine të re terminale.
Projekti përfshin ndërtimin e një godine të re administrative me sipërfaqe prej 250 m², një hapësirë të re zyrash prej 120 m², hapësira ndihmëse prej 130 m², një hapësirë të re për sigurinë prej 40 m², si dhe rikonstruksionin dhe adaptimin e plotë të ndërtesës ekzistuese terminale me një sipërfaqe prej 2000 m² në të dyja nivelet. Ky do të jetë rikonstruksioni i parë i aeroportit që nga ndërtimi i tij. I njëjti do të sjellë kushte më të mira për pasagjerët, duke rritur numrin e tyre dhe projekti pritet të përfundojë deri në mars të vitit 2026, theksoi zëvendëskryeministri Nikolloski.
Zbatimi i këtyre dy projekteve është pjesë e marrëveshjes me TAV, shtoi zëvendëskryeministri Nikolloski.