Takimi Misajllovski – Sallaj Bobrovnicki në kuadër të samitit qeveritar hungarezo – maqedonas në Budapest: Ne nuk jemi thjesht vëzhgues të së tashmes, por arkitektë të një të ardhmeje më të mirë dhe më të sigurt

Ministri i Mbrojtjes Vllado Misajllovski sot ka zhvilluar një takim bilateral me kolegun e tij hungarez Kristof Sallaj Bobrovnicki në kuadër të samitit të qeverisë hungarezo-maqedonase që mbahet sot në Budapest të Republikës së Hungarisë.
Një tjetër hap domethënës drejt një të ardhmeje më të sigurt, më të besueshme dhe më të begatë, për qytetarët e të dy vendeve, për rajonin dhe Evropën, u konstatua nga dy bashkëbiseduesit në takimin e sotëm.

Misajllovski me këtë rast shtoi se është e nevojshme të shfrytëzohet çdo bashkëpunim i mundshëm që do të kontribuojë jo vetëm në zgjerimin dhe thellimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, por edhe në zhvillimin e shteteve.

„Një nga kriteret më të rëndësishme për zhvillim është ruajtja e paqes, sigurisë dhe stabilitetit. Prandaj është e nevojshme që bashkërisht të vazhdojmë të investojmë në forcimin e sigurisë rajonale, në mënyrë që të përballemi më efektivisht me sfidat me të cilat po përballemi”, tha ministri Misajllovski dhe shtoi se ndihet veçanërisht krenar që bashkëpunimi në mbrojtje me Hungarinë po intensifikohet, veçanërisht pas nënshkrimit të Planit për Bashkëpunim Bilateral ndërmjet dy vendeve.
„Ne nuk jemi thjesht vëzhgues të së tashmes, por arkitektë të një të ardhmeje më të mirë dhe më të sigurt. Aktivitetet që mbulon Plani janë dëshmi e përkushtimit serioz mes dy ministrive dhe ushtrive dhe për ne me rëndësi të veçantë është mundësia e shkëmbimit të përvojave dhe njohurive që ofrojnë të dyja vendet në drejtim të forcimit të kapaciteteve njerëzore, theksoi Misajllovski.

Ministri hungarez Sallaj Bobrovnicki tha në këtë takim se po hapen mundësi të reja në procesin e prokurimit dhe zhvillimit në industrinë e mbrojtjes përmes një marrëveshjeje Qeveri-me-Qeveri, mundësinë e prokurimit të pajisjeve ushtarake nga prodhuesit hungarez, si dhe për intensifikimin e bashkëpunimit në procesin e trajnimeve dhe stërvitjeve për pjesëtarët e forcave speciale dhe ushtrive në përgjithësi.

Gjatë takimit u bisedua edhe për Memorandumin e Mirëkuptimit ndërmjet dy institucioneve, i cili është në fazën përfundimtare të harmonizimit dhe që do të jetë një shtysë shtesë për ndërtimin e bashkëpunimit të ndërsjellë.