Takim Nikolloski – Janosh Llazar në Budapest: Maqedonisë i duhen miq si Hungaria, e avancojmë bashkëpunimin për zhvillim të përshpejtuar dhe stabilitet në rajon

Maqedonia dhe Hungaria janë vende mike me marrëdhënie të shkëlqyera ekonomike dhe politike dhe në frymën e kësaj miqësie, vazhdojmë bashkëpunimin e deritanishëm. Mbështetja nga Hungaria është e rëndësishme edhe për rrugën drejt Bashkimit Evropian dhe besoj se ky bashkëpunim do të jetë i dobishëm për popullin maqedonas, theksoi zëvendëskryeministri dhe ministër i transportit, Aleksandar Nikolloski, i shoqëruar nga ministrja e financave, Gordana Dimitrieska - Koçoska, në takimin bilateral të sotëm me homologun e tij, ministrin e ndërtimtarisë dhe investimeve të Hungarisë, Janosh Llazar, si dhe me ministrin e ekonomisë kombëtare, Marton Nagj. 

Takimi është pjesë e vizitës dyditore qeveritare në Hungari dhe mbajtjes së samitit maqedono-hungarez. Në fokus të takimit ishin politikat ekonomike dhe zhvillimi infrastrukturor i rajonit. 

Maqedonia ka plane të fuqishme investuese për modernizimin e rrjetit të transportit dhe në këtë drejtim po realizohen projekte të mëdha infrastrukturore që do të rrisin konkurrencën e transportit në rajon, veçanërisht në korridoret evropiane, theksoi zëvendëskryeministri Nikolloski.

Ai potencoi se Maqedonia është e përkushtuar fuqishëm në ndërtimin e hekurudhës së shpejtë në Korridorin 10 dhe në lidhjen cilësore të Shkupit me Budapestin dhe për këtë arsye mbështetja nga vendet e Bashkimit Evropian është me rëndësi të madhe për realizimin e një projekti të tillë.   

Gjithashtu, në takim ministrat diskutuan për mundësinë e realizimit të projekteve të përbashkëta me interes rajonal, rritjen e bashkëpunimit tregtar dhe investimeve.  

Ministri informoi gjithashtu për aktivitetet e përshpejtuara për realizimin e projekteve të mëdha kapitale në Maqedoni, duke theksuar se mjetet nga huamarrja tashmë janë drejtuar drejt komunave për realizimin e projekteve infrastrukturore.   

Gjatë takimit u shkëmbyen mendime dhe qëndrime për rritjen e marrëdhënieve bilaterale dhe multilaterale si dhe për stabilitetin në rajon. Zëvendëskryeministri Nikolloski shprehu mirënjohje të madhe për bujarinë e qeverisë hungareze në mbështetjen që ofron për fuqizimin ekonomik të Maqedonisë dhe për proceset e saj eurointegruese.   

Ai theksoi se Maqedonia është e përkushtuar fuqishëm në perspektivat evropiane përmes reformimit të segmenteve të rëndësishme në gjyqësor, luftën kundër krimit dhe korrupsionit.

Këto takime me miqtë tanë hungarezë do të sjellin përfitime të mëdha për Maqedoninë dhe rajonin. Qytetarët maqedonas tashmë i ndiejnë këto përfitime. Kemi alokuar 100 milionë euro për komunat për zhvillimin e tyre pikërisht përmes mbështetjes financiare nga Hungaria dhe këtë vit tashmë janë vënë në dispozicion 250 milionë euro gjithashtu për projekte në komuna. Kemi marrëdhënie të shkëlqyera ekonomike dhe bilaterale me Hungarinë, këtë vit shënojmë tre dekada të këtyre marrëdhënieve dhe besoj se ky është fryt i politikave të përbashkëta. Kjo është një kohë kur nevojiten miq të fortë dhe Hungaria është një partner i fuqishëm i Maqedonisë dhe një mbështetës i madh në realizimin e qëllimeve strategjike të vendit, theksoi zëvendëskryeministri dhe ministër i transportit, Aleksandar Nikolloski.   

Gjatë takimit, të dyja palët shprehën kënaqësinë për bashkëpunimin e deritanishëm, duke theksuar se avancimi i marrëdhënieve mes dy vendeve është një aktivitet në të cilin do të punojnë të dyja qeveritë.