Ministri i Drejtësisë Igor Filkov mori pjesë në konferencën ndërkombëtare Drejt BE-së: Forcimi i integritetit dhe pavarësisë së drejtësisë penale në Ballkanin Perëndimor, që po mbahet në Lubjanë. Në prani të një numri të madh të ministrave të drejtësisë dhe përfaqësuesve të lartë, ministri Filkov theksoi se jemi para një periudhe të rëndësishme kur duhet të tregojmë vullnet politik, lidership dhe përkushtim për zbatimin e të gjitha këtyre reformave. Bashkimi Evropian dhe institucionet e tij duhet të vazhdojnë të mbështesin këtë ambicie, të tregojnë lidership në zgjidhjen e problemeve dypalëshe dhe rajonale dhe të vazhdojnë mbështetjen e tyre në rrugën e integrimit të Ballkanit Perëndimor.
“Unë vij nga një vend dhe një komb i cili që dy dekada po lufton me këmbëngulje për vendin e tij në Bashkimin Evropian. Në rrugën drejt këtij qëllimi përfundimtar, jemi përballë me shumë sfida dhe kushte që duhet t'i përmbushim. Por, siç e dimë të gjithë, mosmarrëveshjet dhe kontestet dypalëshe me fqinjin tonë janë bërë pengesa më e madhe për perspektivat tona evropiane. Dhe të gjithë do të jeni dakord që këto praktika janë në kundërshtim me vlerat e Bashkimit Evropian, vlera që janë themeli i integrimit, bashkëpunimit dhe respektimit të shtetit ligjor.
Pikërisht për këtë, besoj se tani është momenti kur Bashkimi Evropian duhet të tregojë lidership të vërtetë dhe vullnet politik. Duhet të jetë e qartë se ekziston një vullnet dhe hapësirë për të zgjidhur mosmarrëveshjet dypalëshe midis vendeve kandidate për në BE dhe vendeve anëtare. Jo vetëm në kuadër të kritereve të Kopenhagës, por mbi to – në emër të stabilitetit rajonal dhe integrimit evropian.
Tani është koha e duhur për të vënë theksin në pasqyrimin global dhe realitetin e ri politik në të cilin ndodhet shoqëria moderne. Bashkimi Evropian duhet të tregojë se është gati për sfida të reja dhe se ka kapacitetin për të mbijetuar si një bashkim i fortë, i bashkuar dhe konkurrues globalisht. Nuk duhet ta humbasim këtë moment. Duhet të ecim së bashku. Po bëhet gjithnjë e më e sigurt se nuk do të ketë më asnjë shans për t'u kthyer sërish në të njëjtën rrugë. Nuk kemi më - kohë për të humbur! Evropa po na pret!”, tha në fjalën e tij Ministri i Drejtësisë, Igor Filkov.
Filkov potencoi edhe reformat që po zbatohen në fushën e gjyqësorit.
“Në muajt e fundit, Republika e Maqedonisë së Veriut ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm. Krahas miratimit të ligjeve të rëndësishme, si Ligji për konfiskimin në procedurën civile dhe Ligji për zyrën për kthimin e pronave, janë marrë edhe masa për forcimin e institucioneve gjyqësore. Me rëndësi të veçantë janë edhe përgatitjet e Kodit të ri Penal dhe Ligjit për procedurën penale, të cilat do të harmonizohen me standardet evropiane dhe praktikën ndërkombëtare. Aktualisht, në proces është propozim ligji për raportimin e mbrojtur dhe mbrojtjen e sinjalizuesve. Gjithashtu, është i rëndësishëm edhe procesi i dixhitalizimit në sistemin e gjyqësorit. Me këtë rast dëshiroj të theksoj rëndësinë e progresit që po bën vendi ynë në drejtim të zbatimit të rekomandimeve të GRECO-s. Sidomos në kontekst të raundit të 5-të, që kishte të bënte me pushtetin qendror dhe Ministrinë e Punëve të Brendshme.
Dua ta ndaj informacionin se në periudhën nga 17-19 mars 2025, në Seancën plenare të GRECO-s në Strasburg, pritet të mbyllet raundi i 5-të i evoluimit për Republikën e Maqedonisë së Veriut. Ky është sukses mjaft i rëndësishëm pasi që nga gjithsej 23 rekomandime të dhëna, 17 janë implementuar plotësisht, 6 janë implementuar pjesërisht, ndërsa rekomandime të paimlementuara nuk kemi. Me këtë, vendi ynë veçohet si një nga vendet që më së shpejti e mbyllin këtë rreth të evoluimit”, theksoi ministri Filkov.