Andonovski: Asnjë hap i kësaj Qeverie nuk do të jetë në drejtim të përkeqësimit të gjendjes së sektorit mediatik

Ministri për Transformim Digjital, Stefan Andonovski, mori pjesë në emisionin e djeshëm debativ “360 gradë” në RTM1, ku temë kryesore ishin Propozim-ndryshimet e Ligjit të mediave. Ai rikujtoi se propozimi ka qenë i shpallur në sistemin ENER, se ka pasur komente të ndryshme dhe se versioni aktual është një lloj vlere e mesme që ka dalë prej tyre. 
“Ky ligj si ide erdhi nga dy aspekte. Njëri është udhërrëfyesi për sundimin e së drejtës dhe kapitullit 23, i cili përcakton se duhet të kemi qartësi dhe transparencë më të madhe në rregullimin dhe njohjen e mediave në mënyrë që të garantojmë konkurrencë dhe të garantojmë cilësinë dhe profesionalizmin e mediave, pranimin dhe njohjen e mediave online. Aspekti i dytë është se në diskutimet me Shoqatën e Medieve Online dhe mediave të tjera online, ata kanë shprehur gatishmërinë për të propozuar dhe iniciuar këtë lloj ndryshimi që do të nënkuptonte njohjen e tyre si media, një punë që e bëjnë prej shumë vitesh, ndërsa angazhimi i tyre si media nuk është njohur kurrë”, tha ministri Andonovski.
Ministri potencoi se si parashtrues dhe propozues të ndryshimeve në ligjet mediatike, ata nuk duan të shkurtojnë të drejta të gazetarëve.
"Një vërejtje rreth Aktit Evropian për Lirinë e Medieve - ideja jonë nuk do të jetë kurrë të përkeqësojmë situatën në sektorin mediatik. Kemi arritur në një nivel. Nuk them nëse dikush është i kënaqur apo nuk është i kënaqur nga kjo, por jemi në nivel të përcaktuar. Nuk është më e mira, nuk është më e keqja. Asnjë hap i kësaj Qeverie nuk do të jetë në drejtim të përkeqësimit të gjendjeve. Nëse mund të ndihmojmë me një Ligj të ri për mediat, me një Ligj të ri për shërbimet mediatike, audio dhe audiovizuale, për ta përmirësuar situatën, atëherë do të hyjmë në atë garë. Por, assesi nuk do të hyjmë në situatë ku duhet të ndryshojmë ligjin me çdo kusht ose të miratojmë një ligj të ri për mediat me të cilin do të përkeqësohet gjendja," tha Andonovski.
Ai konsideron se do të duhet një debat gjithëpërfshirës në të cilin do të marrin pjesë televizionet nacionale dhe do të merren parasysh qëndrimet e shoqatave të gazetarëve, mediave online, mediave të shtypura, Agjencisë për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuale, si dhe shërbimi publik për të parë se cili është qëndrimi, por nëse qëndrimet dallojnë shumë, Qeveria nuk do të hyjë në procesin e ndryshimit të ligjeve.