Ministri i Mbrojtjes, Vllado Misajllovski, sot nga kazermat që mbajnë emrin e heroit popullor “Çede Filipovski – Dame” në Kërçovë, deklaroi se fillon një proces që do të sjellë energji të re dhe freski në radhët e Armatës maqedonase. “Bëhet fjalë për një Konkurs Publik për 300 ushtarë profesional dhe një Konkurs Publik për 10 nënoficerë në Armatën maqedonase, ndërsa pason edhe shpallja për pranimin e 60 personave me arsim të lartë në gradë oficeri, e cila do të publikohet nesër,” tha ministri Misajllovski dhe bëri thirrje për të gjithë të rinjtë dhe të rejat e motivuara, nga të gjitha komunitetet etnike, që duan t’ia kushtojnë karrierën e tyre Armatës maqedonase, për mbrojtjen e paqes dhe sigurisë së shtetit dhe qytetarëve, që ta shfrytëzojnë këtë mundësi dhe të aplikojnë në shpallje për t’u bërë pjesë e kësaj familjeje.
Misajllovski theksoi se secili që i plotëson kushtet e konkursit do të ketë mundësinë të bëhet pjesë e Armatës maqedonase. “Këta njerëz që qëndrojnë këtu pas meje dhe kudo në kazermat, kudo në terren, kudo gjatë ushtrimeve, mund t’i shikoni – ata janë zemra e Maqedonisë, ata janë njerëzit heronj,” tha Misajllovski.
Së bashku me zëvendësministren e Mbrojtjes, Elfete Ismaili, zëvendësshefin e Shtabit të Armatës, gjeneralmajor Azim Nuredini dhe komandantin e Komandës së Operacioneve, brigadier-gjeneral Mirçe Gjorgoski, ata vizituan pjesëtarët e batalionit të parë të këmbësorisë së Armatës dhe inspektuan punimet ndërtimore që po kryhen në restorantin ushtarak, i cili për një periudhë të gjatë ishte i dëmtuar dhe rrezikonte sigurinë e pjesëtarëve të Armatës.
Bazuar në marrëveshjen e nënshkruar, do të kryhet çmontimi i plotë, përforcimi i strukturës së çatisë, montimi i një çatie të re dhe ndërtimi i tavanit të brendshëm. Të gjitha punimet në këtë objekt pritet të përfundojnë brenda 90 ditëve. Sa i përket aktiviteteve ndërtimore, ministri Misajllovski tha se, përveç këtij projekti, aktualisht po realizohen disa aktivitete të tjera ndërtimore në kazermën në Shtip, në poligonin ushtarak Krivollak, në Qendrën e Trajnimit ,,Pepelishtë”, si dhe zëvendësimi i strukturës së çatisë në disa objekte të kazermave dhe magazinave të Armatës.