Të nderuar përfaqësues të komunitetit rom,
Përfaqësues të korit diplomatik,
Të dashur miq,
Me respekt të sinqertë dhe ndjenjë të thellë të përgjegjësisë, sot ju drejtohem me rastin e 8 Prillit – Dita Ndërkombëtare e Romëve.
Kjo ditë ka një simbolikë të fuqishme. Është ditë kujtimi – për historinë, përndjekjen, mënjanimin, por edhe ditë dinjiteti, rezistence dhe shprese.
Është një ditë kur jo vetëm që festojmë kulturën rome, por edhe flasim me zë të lartë për padrejtësitë me të cilat ky komunitet është përballur dhe për përkushtimin tonë si shtet për t’i tejkaluar ato padrejtësi.
Romët janë pjesë përbërëse e shtetit tonë. Ata nuk janë “pakicë”, por popull me traditë të pasur, me muzikë, me gjuhë, histori, e zakone.
Ata janë bashkëqytetarët tanë, fqinjët, miqtë, bashkëpunëtorët tanë dhe më e rëndësishmja – qytetarë me të njëjtën vlerë dhe dinjitet si çdo kush tjetër.
Por e vërteta është se komuniteti rom për shumë kohë ka jetuar në margjinat e shoqërisë.
Të jemi të sinqertë, pabarazia është reale.
Ka barriera të sistemit dhe ne marrim përgjegjësi për t’i shembur ato barriera, hap pas hapi, politikë pas politike, projekt pas projekti.
Arsimi është çelësi i përfshirjes. Ne e dimë se arsimi është themeli i çdo shoqërie të begatë.
Prandaj, Qeveria investon në politika të cilat do të sigurojnë një fillim të barabartë për çdo fëmijë, pa marrë parasysh përkatësinë etnike apo sociale.
Arsimi nuk është vetëm mësim faktesh. Është mësim i vetëbesimit. Është rruga drejt dinjitetit. Është ura që e çon çdo të ri nga margjinat në qendrën e shoqërisë.
Për fëmijët romë, arsimi nuk është vetëm një opsion, por një shpresë. Është përgjigje ndaj brezave të padrejtësisë, mënjanimit dhe harresës.
Kur një fëmijë rom hyn në klasë, është një akt rezistence. Kur ai diplomohet, është fitore e drejtësisë. Prandaj, Qeveria e ka vendosur barazinë në arsim si prioritet:
Ashtu siç ka thënë Nelson Mandela:
“Arsimi është arma më e fuqishme që mund ta përdorni për ta ndryshuar botën.”
Unë do të shtoja: edhe për ta ndryshuar jetën e çdo fëmije rom.
Ai fëmijë mund të vijë nga Shuto Orizari, Tetova, Manastiri, Koçani apo nga çdo vend tjetër i Maqedonisë.
Ai fëmijë mund të jetë mjeku, arkitekti, artisti, deputeti apo kryeministri i ardhshëm.
Të mos lejojmë asnjë fëmijë të mbetet pas. Të mos lejojmë që varfëria të fitojë mbi mundësinë.
Të investojmë tani, sepse çdo i ri i arsimuar sot është lideri, mjeku, inxhinieri apo mësuesi i së nesërmes.
T’u japim krahë, ata tashmë kanë forcë.
T’ua hapim rrugën, ata tashmë kanë ëndrra.
Punësimi nga integrimi drejt barazisë ekonomike.
Punojmë intensivisht për përfshirjen e romëve në tregun e punës përmes:
Masave aktive për punësim në bashkëpunim me Agjencinë për Punësim, të fokusuara veçanërisht te të rinjtë romë dhe gratë. Trajnime për zejtari dhe aftësi digjitale, si dhe mundësi për vetëpunësim përmes granteve dhe mentorimit.
Në periudhën nga viti 2023 deri sot, më shumë se 1.000 romë kanë gjetur punë ose kanë hapur biznesin e tyre.
Mbështesim rinovimin e çative, rrjetin e kanalizimit, qasjen në ujë dhe energji elektrike në Shuto Orizar, Manastir, Koçan, Dellçevë dhe në komuna të tjera.
Po ndërtohen banesa të reja sociale. Çdo familje meriton një shtëpi – jo një zgjidhje të përkohshme, por një shtëpi të vërtetë, të sigurt dhe dinjitoze.
E dimë se integrimi nuk është i plotë pa zë dhe pjesëmarrje.
Prandaj e inkurajojmë organizimin politik dhe përfaqësimin e romëve në pushtetin lokal dhe atë qendror.
Mbështesim organizatat qytetare rome, manifestimet kulturore dhe pjesëmarrjen në debatet publike.
Në Kuvend, në Qeveri, në institucionet, vendi i romëve duhet të jetë i hapur dhe i pranuar.
Ashtu siç një herë tha Angela Merkel:
“Asnjë demokraci nuk është e plotë derisa të gjitha zërat të dëgjohen, sidomos ata që kanë qenë të heshtur për shumë gjatë.”
Të dashur miq,
Vizioni ynë nuk është që romët të jenë “të toleruar” apo “të përfshirë”, por që të jenë qytetarë të barabartë, me të njëjtën fuqi për të vendosur, krijuar, ëndërruar dhe për të jetuar me dinjitet.
Prandaj, sot nuk është vetëm ditë përkujtimi, por ditë e llogaridhënies. Ditë kur e rinovojmë betimin tonë:
Se nuk ka përparim pa barazi.
Se nuk ka liri pa drejtësi.
Se nuk ka zhvillim pa përfshirjen e të gjithëve.
Ndërtojmë një Maqedoni si shtet për të gjithë. Për çdo fëmijë, çdo familje, çdo njeri, pa marrë parasysh përkatësinë etnike, fetare apo sociale.
Gëzuar 8 Prillin, Ditën Ndërkombëtare të Romëve!
Rroftë dinjiteti. Rroftë diversiteti. Rroftë bashkëjetesa.
Ju faleminderit.