Në emër të Qeverisë dhe në emrin tim personal, të gjithë qytetarëve nga komuniteti etnik rom ua uroj 8 Prillin – Ditën Ndërkombëtare të Romëve.
Maqedonia është një vend që historikisht dhe tradicionalisht ka qenë gjithmonë shembull i tolerancës, mirëkuptimit dhe përfshirjes së qytetarëve të saj, pavarësisht përkatësisë së tyre etnike apo fetare.
Sfida dhe qëllimi ynë si Qeveri dhe si shtet në periudhën që vijon është të ngremë statusin social dhe ekonomik të Romëve dhe përmes kësaj, të përmirësojmë pozicionin e tyre në të gjitha sferat e jetës shoqërore.
Ky është një proces që duhet të fillojë me qasje të plotë në sistemin arsimor dhe edukativ, përmes një sistemi të organizuar dhe institucional të mbrojtjes nga diskriminimi, deri te përfshirja e plotë e Romëve në rrjedhat ekonomike dhe sociale të komunitetit tonë. Maqedonia është një vend me resurse të kufizuara, prandaj duhet të vendosë prioritin e saj në shfrytëzimin e të gjitha potencialeve kadrovike dhe njerëzore që ka në dispozicion, me synim arritjen e përparimit të përbashkët.
Përgjigjja më e mirë ndaj prapambetjes sociale dhe ekonomike është arsimi. Përpjekjet tona janë për të zbatuar reforma që do ta reformojnë vendin, do ta avancojnë dhe do të sigurojnë të ardhme dhe zhvillim.
Duhet ta shndërrojmë vendin tonë në një shtet që ofron mundësi të barabarta për të gjithë, që vlerëson dhe respekton suksesin dhe cilësinë e individit, si parakusht për ndërtimin e një të ardhme më të mirë për të gjithë.
Së bashku mundemi më shumë, më mirë dhe vetëm kështu Maqedonia do të jetë shtëpia jonë e përbashkët.