Të nderuar zonja dhe zotërinj,
Të nderuar punonjës dhe bashkëpunëtorë të Entit Shtetëror për Statistikë,
Të nderuar mysafirë, miq dhe partnerë,
Me nder të veçantë dhe ndjenjë përgjegjësie, sot shënojmë përvjetorin e madh – tetë dekada nga themelimi i Entit Shtetëror të Statistikës.
Këto 80 vjet nuk janë vetëm histori – ato janë një traditë e profesionalizmit, besueshmërisë dhe shërbimit publik, të cilat përfaqësojnë themelin e zhvillimit demokratik dhe institucional të shtetit tone.
Në një shoqëri bashkëkohore dhe transparente, statistika është një pasqyrë e realitetit.
Ajo është një mjet për analizë, një bazë për planifikim dhe një udhërrëfyes për krijimin e politikave publike efektive dhe të përgjegjshme. Përmes të dhënave të sakta, të besueshme dhe në kohë, institucionet mund të marrin vendime që i përgjigjen nevojave reale të qytetarëve.
Statistika mundëson angazhimin qytetar, llogaridhënien publike dhe dialogun social. Pa të dhëna cilësore dhe të pavarura - nuk ka demokraci cilësore.
Sot mund të konstatojmë me krenari se statistika maqedonase është kryesisht në përputhje me praktikën statistikore evropiane dhe standardet ndërkombëtare.
Të dhënat e prodhuara nga Enti Shtetëror për Statistikë janë zyrtare, me cilësi të lartë dhe të krahasueshme ndërkombëtarisht - gjë që e dallon këtë Institucion si një burim kyç informacionesh në Maqedoni.
Përmes punës së tij, Enti i mundëson shtetit tonë të jetë i dukshëm dhe i dallueshëm në sistemet statistikore evropiane dhe globale, përmes publikimit të të dhënave në bazat e të dhënave dhe botimet ndërkombëtare.
Të nderuar,
Qeveria vazhdimisht e mbështet statistikën – dhe jo vetëm si një funksion administrativ, por si një burim strategjik për zhvillim dhe përparim.
Përmes miratimit të Strategjisë Nacionale për Zhvillimin e Sistemit Statistik, përmes stabilitetit financiar, investimit në infrastrukturën e TI-së, burimet njerëzore, si dhe përmes bashkëpunimit me institucionet evropiane, ne krijojmë kushte që Enti Shtetëror për Statistikë të mbetet i pavarur, modern dhe profesional.
Ky Institucion ka një rëndësi të veçantë edhe në procesin e negociatave me Bashkimin Evropian, ku statistika është kyçe për matjen e avancimit dhe për vlerësimin e proceseve të reformave.
Si Qeveri, do të vazhdojmë të mbështesim statistikën – sepse të dhënat e sakta nënkuptojnë politika më të mira, ndërsa politikat më të mira nënkuptojnë një jetë më të mirë për qytetarët.
Të nderuar punonjës,
Puna juaj ndoshta nuk është gjithmonë në fokus të opinionit publik, por ajo është e pazëvendësueshme.
Falë përkushtimit tuaj, saktësisë metodologjike dhe përgjegjësisë institucionale, vendi ynë ka statistika që respektohen në vend dhe njihen jashtë vendit.
Të gjitha gjeneratave që kanë punuar dhe po punojnë në këtë institucion, në emër i Qeverisë ju shpreh falënderim të madh!
Sfidat që vijnë janë të reja – digjitalizimi, inteligjenca artificiale, burime të reja të të dhënave.
Por jam i sigurt se me njohurinë, kapacitetin dhe mbështetjen që keni, Enti Shtetëror për Statistikë do të vazhdojë të jetë shtylla e së vërtetës, objektivitetit dhe progresit.
Gëzuar jubileun – 80 vjetorin e ekzistimit të Entit Shtetëror të Statistikës!
Ju uroj edhe shumë vite suksese, integritet dhe kontribut për përparimin e Maqedonisë sonë.