Të nderuar qytetarë,
Të nderuarа media,
Sot dua ta informoj opinionin publik për një masë tjetër konkrete dhe thelbësore dhe një vendim që do të ndërmerret, në drejtim të përkujdesjes dhe trajtimit më të mirë të të lënduarve në tragjedinë e Koçanit.
Qeveria, gjatë javës së ardhshme, do të miratojë një vendim me të cilin qendra rekreative Ponikva, e cila është në pronësi të Ministrisë së Punëve të Brendshme, do t’i vihet në dispozicion Ministrisë së Shëndetësisë, për t'u përdorur si objekt për kujdes mjekësor të zgjatur dhe rehabilitim.
Më lejoni të shpjegoj pse kemi marrë një vendim të tillë;
Qendra rekreative Ponikva disponon me 27 dhoma dhe 56 shtretër, e cila ndodhet në një ambient natyror dhe të qetë, gjë që e bën hapësirë jashtëzakonisht të përshtatshme për pacientët që janë tashmë në fazën e trajtimit kur është e domosdoshme terapia fizikale dhe ergoterapia. Bëhet fjalë për pacientë që janë tashmë të stabilizuar, por tek të cilët ekziston nevoja reale për trajtim të mëtejshëm, me qëllim që të parandalohen dhe të reduktohen pasojat afatgjata nga djegiet, si dhe ndërlikimet e tjera të mundshme që lidhen me trajtimin afatgjatë.
Për momentin po punohet në një plan operativ të detajuar për shpërndarjen dhe përkujdesjen e pacientëve, në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë dhe ekipet mjekësore, të cilat do t’i sjellin pajisjet e tyre në qendrën rekreative Ponikva dhe do të sigurojnë kujdes të vazhdueshëm mjekësor drejtpërdrejt në terren.
Do të përgatitet një plan që pacientët të ndahen në disa grupe dhe cikle terapie, me qëllim që të mundësohet një qasje e personalizuar për secilin rast individual, në përputhje me rekomandimet e mjekëve.
Përveç kujdesit mjekësor, kjo masë ka edhe një aspekt të rëndësishëm psikologjik dhe social. Mundësimi i qëndrimit në një objekt të këtij lloji do të kontribuojë në mbështetjen e ndërsjellë mes pacientëve dhe përmirësimin e gjendjes së tyre psiko-emocionale.
Është e rëndësishme të theksohet se, sipas vlerësimeve mjekësore, pacientët nuk duhet të ekspozohen drejtpërdrejtë në diell dhe temperatura të larta dhe, në të njëjtën kohë, nuk duhet të përballen me lodhje dhe vështirësi shtesë fizike e logjistike. Për këtë arsye, Ponikva i plotëson të gjitha parakushtet për këtë lloj përkujdesjeje.
Presim që në një afat sa më të shkurtër t’i përfundojmë të gjitha këto procedura dhe t’i sjellim vendimet në mënyrë institucionale, stafi mjekësor të kontaktojë me të gjithë pacientët, pas së cilës do të fillojë akomodimi dhe zbatimi i terapive, në përputhje me planin tashmë të përcaktuar.
Të nderuar qytetarë, kjo masë është një përgjigje institucionale, shprehje e përgjegjësisë dhe përkushtimit ndaj çdo individi. Nuk ka asgjë më të rëndësishme se jeta njerëzore dhe dinjiteti i njerëzve, prandaj si Qeveri do të vazhdojmë të veprojmë me vendosmëri, në mënyrë të organizuar dhe me kujdes të plotë ndaj pacientëve.
Ju faleminderit.