"Fletëkërkimi është dërguar dhe tani shtetet që janë partnerët tanë duhet të japin përgjigje se ku ndodhet Artan Grubi. Unë nuk e di nëse Nikolla Gruevski ka ikur me veturë diplomatike apo jo, nuk kam qasje të tillë në hetim. Por, kur bëhet fjalë për Artan Grubin, vetë ai ose personi që e ka shoqëruar apo transportuar, ai është një konsull nderi i një shteti dhe me veturë me targa diplomatike ka braktisur Maqedoninë dhe më pas ai person është thirrur në bisedë informative", tha Hristijan Mickoski, kryetar i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, në intervistën për edicionin qendror të lajmeve në televizionin ALSAT M.
Mickoski theksoi se Grubi iku në mënyrë qyqare, por si shtet po bëjmë gjithçka që është në fuqinë tonë për ta siguruar dhe kthyer në shtëpi personat që janë në arrati nga drejtësia.
"Unë do të thosha se nuk është vetëm Artan Grubi që ka ikur, ka edhe disa të tjerë që janë në arrati nga drejtësia dhe për mua kjo është një mënyrë shumë e keqe, do të thosha një mënyrë qyqare për të vepruar. Por kjo është situata, tani ne si shtet do të përpiqemi me të gjitha mundësitë që kemi të sigurojmë këta të arratisur dhe t’i kthejmë në shtëpi", është decid Mickoski.
I pyetur nëse ka ndonjë informacion nga ndonjë shtet se ku mund të ndodhen këto persona, kryeministri Mickoski tha se ka indikacione për të gjithë, duke shtuar se disa persona janë në rajon dhe disa më larg.