Të dashur qytetarë të Ohrit,
Zonja dhe zotërinj,
Sot, këtu nga bregu i Liqenit të Ohrit, dërgojmë mesazh të fortë dhe të qartë – Maqedonia po ndërtohet.
E lëshojmë në përdorim rrugën rajonale të rindërtuar nga Ohri deri në Shën Naum – një rrugë që ishte harruar. Një rrugë që e meritonte Ohri, e meritonin qytetarët, turistët. Dhe tani, më në fund, e fituam.
Me një investim prej 11,7 milionë eurosh, kemi rindërtuar 24,3 kilometra rrugë moderne magistrale. Rekonstruksioni përfshiu sanimin e plotë të rrugës, vendosjen e sinjalizimit të ri, mbrojtëse dhe zgjerim aty ku lejonte terreni. Janë bërë edhe ndërhyrje mbrojtëse në pjerrësitë e rrezikshme – dhe e gjithë kjo ka një qëllim: siguri dhe jetëgjatësi.
Por kjo sot nuk është vetëm lëshim i rrugës në përdorim. Kjo është edhe një konfirmim tjetër i përkushtimit të Qeverisë – për të ndërtuar, pa shumë zhurmë. Pa spektakle partiake dhe biznesi. Me plan, me vizion të qartë dhe shumë punë.
Për momentin, ndërtohen paralelisht disa akse kyçe rrugore. Autostrada Kërçovë – Ohër po përshpejtohet fuqishëm, segmentet Tetovë – Gostivar dhe Gostivar – Bukojçan janë aktive dhe po punohet në përgatitjen për ndërtimin e aksit Bukojçan – Kërçovë. Kjo do të thotë se po e mbyllim plotësisht unazën me autostrada në Maqedoninë Perëndimore. Dhe nuk ndalojmë këtu.
Strategjia jonë është e qartë – infrastruktura nuk është shpenzim, ajo është investim në ardhmërinë e shtetit. Infrastruktura hap dyert për turizëm, për ekonomi, për lidhje rajonale, për vende pune, për një jetë dinjitoze.
Sa i përket turizmit, dua të them se këtë vit, muaji prill ka qenë i suksesshëm me mbi 20% më shumë turistë të huaj krahasuar me prillin e vitit të kaluar dhe e njëjta rritje vlen edhe për katër muajt e parë të vitit krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Gjithashtu, numri i netë-qëndrimeve në katër muajt e parë, veçanërisht në prill, është sërish rreth 20% më i lartë krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
Kjo rrugë që po e lëshojmë sot na lidh me një nga qendrat më të mëdha shpirtërore dhe turistike në Ballkan – kompleksin manastiror të Shën Naumit. Ajo i lidh gjithashtu të gjitha plazhet dhe kapacitetet turistike në pjesën jugore të bregut të Ohrit. Dhe jo vetëm kaq – ajo është pjesë edhe e lidhjes rajonale me Republikën e Shqipërisë.
Ohri, qyteti nën mbrojtjen e UNESCO-s, ngadalë por sigurt, po merr pamjen e një destinacioni evropian të dëshiruar dhe të qasshëm. E kemi lidhur me botën përmes linjave të reja ajrore, përmes Stambollit, Memingenit, Vjenës, Beogradit. Sot, përmes rrugëve të rinovuara, po mundësojmë që të marrë frymë lirshëm dhe të zhvillohet siç i takon.
Të dashur miq,
Kjo nuk është politikë premtimesh, por politikë e realizimit.
Qytetarët shohin rezultate – jo projekte të vizatuara, por të zbatuara, të lëshuara dhe funksionale.
Atdheu ndërtohet atje ku, për fat të keq, para nesh kishte shkatërrim, ngecje dhe shumë korrupsion.
Ndërsa disa flisnin, premtonin, ne ndërtuam rrugë, projekte, besim.
Ne nuk lëshojmë vetëm një rrugë – ne lëshojmë një shteg drejt së ardhmes.
Kjo është Maqedonia që po ecën përpara. Qetë, me këmbëngulje dhe me rezultate.
Atdheu që po e ndërtojmë me përkushtim, ndershmëri dhe përgjegjësi.
Dhe këtë e bëjmë për çdo njeri, për çdo fëmijë, për çdo qytetar.
Ohri e meriton. Maqedonia e meriton.
Ndërsa ne jemi këtu – për ta ndërtuar atë që ka qenë e lënë pas dore për shumë kohë.
Me punë. Po e përsëris, pa shumë zhurmë. Pa bujë. Pa të privilegjuar. Me zemër dhe vizion.
Qoftë me fat dhe qoftë për të mirën e të gjithë qytetarëve!
Zoti e bekoftë Maqedoninë.
Ju faleminderit.