Në Kavadar sot u mbajt një ditë informuese për të njohur opinionin me masat nga Plani Operativ për programet dhe masat aktive për punësim dhe shërbime në tregun e punës për vitin 2025.
Para përfaqësuesve të odave ekonomike, shoqatave të të rinjve dhe një numri të madh qytetarësh të interesuar, deputetësh dhe përfaqësuesve të vetëqeverisjes lokale nga Kavadari dhe rajoni, masat nga plani u prezantuan nga zëvendësministri i Ekonomisë dhe Punës, Marjan Risteski, kryetari i komunës së Kavadarit, Mitko Jançev, drejtoresha e Agjencisë për Mbështetje të Sipërmarrësisë, Daniella Dimovska dhe zëvendësdrejtoresha e Agjencisë për Punësim, Vesna Peshova.
Zëvendësministri Risteski u ndal tek tre thirrjet publike të shpallura dje, që lidhen me masën – Mbështetje për vetëpunësim (sipërmarrësi).
– Shuma e mbështetjes financiare në formë granti për themelimin dhe nisjen e një biznesi është në vlerë prej 7.000 euro për një person mbi moshën 29 vjeç. Ndërsa nëse bëhet fjalë për një të ri nën moshën 29 vjeç, mbështetja është 10.000 euro. Në rast të bashkimit të aplikuesve në një SHPK, mbështetja shkon deri në 20.000 euro, varësisht nga grupet e synuara. Përmes këtyre tre thirrjeve në kuadër të masës Mbështetje për vetëpunësim (sipërmarrësi), u jepet mundësi më shumë se 1700 personave që të hapin biznesin e tyre – tha Risteski.
Ai shtoi se qëllimi i kësaj mase nga Plani Operativ është të nxisë sipërmarrësinë dhe të mbështesë krijimin e bizneseve fillestare që do të sigurojnë punësim të qëndrueshëm.
Kryetari i Komunës së Kavadarit, Mitko Jançev, përshëndeti masat nga Plani Operativ për punësim dhe i ftoi të gjithë të papunët e interesuar – kërkues aktivë të punës – të cilët kanë një ide biznesi, të aplikojnë dhe të shfrytëzojnë këtë mundësi për të krijuar biznesin e tyre.
Thirrjet publike janë të hapura deri më 20 qershor dhe në periudhën në vijim do të shpallen thirrje publike edhe për masa të tjera nga Plani Operativ.