Ministri i Administratës Publike i Republikës së Maqedonisë, Goran Minçev, sot në Podgoricë nënshkroi Memorandum për Bashkëpunim me homologun e tij malazez, Ministrin e Administratës Publike të Malit të Zi, Marash Dukaj.
Përmes këtij memorandumi, të dy vendet formalizojnë bashkëpunimin e ndërsjellë në fusha kyçe, si digjitalizimi i shërbimeve publike, menaxhimi i burimeve njerëzore, qeverisja e mirë, transparenca dhe profesionalizimi i administratës publike.
“Ky dokument nuk është vetëm një formalitet – është një udhërrëfyes për një të ardhme të përbashkët, për forcimin e kapaciteteve institucionale dhe për një kapitull të ri në marrëdhëniet dypalëshe midis Republikës së Maqedonisë dhe Malit të Zi”, tha Minçev.
Memorandumi parashikon shkëmbimin e përvojave, ekspertizës dhe praktikave më të mira, si dhe realizimin e përbashkët të projekteve të mbështetura nga Bashkimi Evropian dhe partnerët ndërkombëtarë.
Qëllimi është të kontribuohet në institucione më efikase, transparente dhe të orientuara drejt qytetarëve.
“Reforma e administratës publike nuk është vetëm një detyrim i brendshëm, por edhe një sinjal i jashtëm - se institucionet tona janë të gatshme për standardet evropiane, për qeverisje moderne dhe partneritete të vërteta në rajon”. - shtoi ai.
Ministri shprehu mirënjohjen e tij mikpritësve malazezë për partneritetin e tyre dhe për vizionin e përbashkët të një administrate bashkëkohore, të orientuar drejt rezultateve, që do të jetë në shërbim të qytetarëve.
"Nga Podgorica, dërgojmë një porosi të përbashkët: administrata publike duhet të jetë një nxitës i integrimit, jo pengesë e tij.
Profesionalizmi, transparenca dhe efikasiteti nuk janë luks, por parakusht për stabilitet, zhvillim ekonomik dhe anëtarësim në BE."
Ky bashkëpunim paraqet një hap të rëndësishëm drejt forcimit të lidhjeve rajonale dhe një qasje të përbashkët ndaj të ardhmes evropiane.