Mickoski: Po rinovohen 15 dhe po ndërtohen 11 kopshte për mbi 2600 fëmijë

Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, sot duke iu përgjigjur pzetjes gazetareske lidhur me faktin që një nga problemet më të mëdha është akomodimi dhe kapacitetet e kopshteve dhe çfarë po ndërmerr Qeveria në këtë drejtim, deklaroi:

“Ai ishte një nga projektet themelore me të cilët filluam të punojmë që nga fillimi, praktikisht menjëherë pas fitores së madhe në zgjedhjet lokale të vitit 2021, kur e morëm si obligim që aty ku ka lista pritjeje, të mos ketë më lista pritjeje. Kjo ndodhte më shpesh në Shkup dhe në disa qendra urbane më të mëdha, dhe hap pas hapi, ai proces po përfundon. Ajo që mund të them është se aktualisht rreth 15 objekte po adaptohen, rinovohen dhe modernizohen, të cilat do të pranonin rreth 1500 fëmijë – mendoj se kapaciteti i saktë është 1461.

Dhe edhe 11 objekte të reja janë duke u ndërtuar për rreth 1100 fëmijë. Kur e gjithë kjo të përfundojë, besoj se listat e pritjes do të jenë tashmë e kaluar ose do të jenë shumë të vogla ose të parëndësishme.”