1. Duke njohur sfidat serioze të sigurisë në situatën aktuale gjeopolitike, veçanërisht agresionin e Rusisë ndaj Ukrainës, ne, liderët e gjashtëshes së Ballkanit Perëndimor, konfirmojmë përkushtimin tonë për forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe avancimin e integrimit në BE.
2. Duke marrë parasysh miratimin e Instrumentit të BE-së për Reforma dhe Rritje nga Parlamenti Evropian dhe Këshilli, si dhe miratimin e njëpasnjëshëm të Agjendave Reformuese përkatëse nga Komisioni, ne e njohim rolin e këtij Instrumenti në përshpejtimin e mëtejshëm të rrugës drejt anëtarësimit të Gjashtëshes së Ballkanit Perëndimor në BE, përmes sigurimit të ndihmës financiare shtesë pas zbatimit të reformave fundamentale, me rezultate që do të përmirësojnë perspektivat për rritje ekonomike dhe do të na përgatisin për anëtarësim në BE.
3. Në sinergji dhe bashkëpunim me partnerët tanë të BE-së, zbatimi i Agjendave Reformuese përkatëse të secilit nga gjashtë partnerët të BP (dhe progresi në finalizimin e Agjendës Reformuese në Bosnje dhe Hercegovinë) është tashmë duke u zhvilluar, me qëllim arritjen e reformave kyçe socio-ekonomike, duke nxitur njëkohësisht demokracinë, vlerat fundamentale dhe sundimin e së drejtës si parakusht për stabilitet, prosperitet dhe marrëdhënie të mira fqinjësore në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Ne, liderët e BP6, angazhohemi të avancohemi mbi këtë fillim të mbarë dhe të intensifikojmë përpjekjet për zbatimin e plotë të Agjendave tona Reformuese.
4. Në lidhje me Planin për Rritje për Ballkanin Perëndimor, ne obligohemi të shfrytëzojmë mundësitë që ofron kjo nismë. Ato përfshijnë bashkëpunim të përmirësuar ekonomik rajonal, qasje të përmirësuar në instrumentet financiare të BE-së, lehtësim të tregtisë, integrimin e zinxhirëve për furnizim industrial dhe lehtësim të tranzicioneve digjitale dhe energjetike për harmonizim me standardet e BE-së. Qëllimi ynë është të lehtësojmë transformimin ekonomik dhe shoqëror të shoqërive tona, me çka do ta shtrrojmë rrugën drejt anëtarësimit të plotë dhe të pashmangshëm drejt BE-së, duke i’u përmbajtur njëkohësisht parimit për anëtarësim të bazuar në merita gjatë gjithë këtij procesi.
5. Duke njohur rëndësinë e të gjitha fushave fillestare prioritare për qasje në Tregun e Vetëm të BE-së, siç parashikohet në Shtyllën 1 të Planit për Rritje, e konfirmojmë përkushtimin tonë për avancimin e integrimit ekonomik rajonal përmes Planit për Veprim për Tregun e Përbashkët Rajonal 2025–2028 (TPR 2). Me miratimin e TPR 2 në tetor të vitit 2024, ne, liderët e BP6, kemi dëshmuar përkushtimin për të thelluar bashkëpunimin rajonal me qëllim konsolidimin dhe përmirësimin e konkurrueshmërisë dhe bashkëpunimit ekonomik. Në këtë drejtim, e përshëndesim faktin se zbatimi i TPR 2 tashmë është duke u zhvilluar. Duke e njohur rëndësinë e qasjes së të gjitha vendeve të BP6 drejt BE-së dhe trupat përkatës për të përmirësuar integrimin ekonomik rajonal me Tregun e Vetëm të BE-së dhe për të maksimizuar ndikimin e Tregut të Përbashkët Rajonal. Më tej, njohim rolin kyç të Këshillit për Bashkëpunim Rajonal (KBR) në lehtësimin e negociatave dhe sigurimin e koordinimit efektiv ndërmjet të gjitha palëve të përfshira, si dhe rolet e rëndësishme që kanë Këshilli për Bashkëpunim Rajonal (KBR), Marrëveshja e Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore (CEFTA), Forumi i Investimeve të Odave (BP6 FIO), Komuniteti Energjetik, Komuniteti i Transportit, KE dhe qeveritë partnere të Procesit të Berlinit për zbatimin e Planit për Veprim. Po ashtu, angazhohemi për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve për mobilitetin të miratuara deri më sot, të cilat janë kyçe që t’u mundësohet qytetarëve të gjashtës së Ballkanit Perëndimor të punojnë, udhëtojnë dhe studiojnë lirshëm në rajon.
6. E njohim nevojën për të avancuar përparimin e arritur drejt integrimit në Tregun e Vetëm të Bashkimit Evropian dhe avancimin e katër lirive fundamentale, me përfitime të mundshme për ekonomitë tona edhe përpara datës së anëtarësimit formal.
7. Ne, gjashta e Ballkanit Perëndimor, riafirmojmë përkushtimin tonë për integrimin në SEPA dhe po i avancojmë aktivisht përpjekjet tona për t’u përshtatur me kërkesat e saj. E përshëndesim arritjen historike të katër vendeve të gjashtës së Ballkanit Perëndimor – si partnerët e parë nga zgjerimi e deri më tani – të cilët u bashkuan me zonën gjeografike të SEPA-s dhe vlerësojmë përpjekjet e vendeve të tjera për përmbushjen e kritereve që të bashkohen sa më shpejt të jetë e mundur. Qëllimi ynë i përbashkët është që të gjitha vendet e gjashtës së Ballkanit Perëndimor të aplikojnë në mënyrë aktive skemat e pagesave SEPA dhe të bëhet operacionalisht e gatshme sa më shpejt të jetë e mundur. Jemi të vetëdijshëm se sfidat mbeten, veçanërisht në përputhjen e kuadrit rregullator financiar me standardet e BE-së, sigurimin e ndërveprueshmërisë së plotë brenda sektorit bankar rajonal dhe aksesin e drejtpërdrejtë në sistemet e infrastrukturës së pagesave. E përshëndesim krijimin e grupit drejtues për zbatimin e SEPA-s, e cila bashkon guvernatorët e bankave qendrore të gjashtës së Ballkanit Perëndimor, Komisionin Evropian, Bankën Qendrore Evropiane, Këshillin Evropian të Pagesave, Bankën Botërore dhe Këshillin për Bashkëpunim Rajonal për të gjetur zgjidhje ndaj këtyre sfidave. Konfirmojmë se anëtarësimi në SEPA do të rrisë besueshmërinë e sektorit tonë financiar në nivel ndërkombëtar dhe do t’i thellojë marrëdhëniet tregtare me Zonën Ekonomike Evropiane, dhe obligohemi që t’i mbështesim këto procese edhe financiarisht.
8. Duke theksuar rëndësinë strategjike të sistemeve të integruara të pagesave për konvergjencën ekonomike rajonale dhe përputhshmërinë me Tregun e Vetëm të BE-së, ne, së bashku me partnerët tanë përfshirë Komisionin Evropian dhe në përputhje me Planin e Veprimit 2 për Tregun e Përbashkët Rajonal, jemi të përkushtuar në mbështetjen e Bankave tona Qendrore në arritjen e integrimit të plotë në sistemin e pagesave të menjëhershme TARGET (TIPS) të Bankës Qendrore Evropiane.
9. Duke konfirmuar uljen e ndjeshme të çmimeve të sjellë me anë të marrëveshjes vullnetare mes 38 operatorëve të telekomunikacionit nga BE-ja dhe BP6, shprehim gatishmërinë për të bashkëpunuar me Komisionin për të gjetur një zgjidhje ligjore që do ta zgjerojë sa më shpejt regjimin e BE-së “roaming si në shtëpi” edhe për Ballkanin Perëndimor. Për më tepër, e përshëndesim punën e Këshillit për Bashkëpunim Rajonal për zgjerimin e fushës së Deklaratës për Roaming të BE/BP.
10. 10. Duke njohur rëndësinë e transformimit digjital dhe lidhjes, poashtu përshëndesim thirrjen për propozime për nismën WiFi4WB, e cila do të rrisë qasjen në internet me shpejtësi të lartë në ndërtesat publike, hapësirat publike urbane dhe zonat rurale (zonat gri), me çka do të përmirësohet lidhja në rajon duke mundësuar njerëzit të komunikojnë në mënyrë më efektive, të mësojnë dhe të punojnë online. Kjo është pjesë e një plani më të gjerë për të përshpejtuar kalimin digjital në rajon dhe për të promovuar integrimin e Ballkanit Perëndimor në Tregun e Vetëm Digjital të BE-së. Në këtë drejtim, mirëpresim organizimin e Samitit Digjital për Ballkanin Perëndimor, në bashkëpunim me Këshillim për Bashkëpunim Rajonal, i cili do të mbahet në Shkup në tetor të vitit 2025.
11. Duke njohur nevojën për lëvizje të lirë më të mirë të mallrave, BP6, Sekretariati i CEFTA-s dhe Komuniteti i Transportit e kanë finalizuar Udhërrëfyesin për Korridoret e Gjelbërta, duke siguruar kështu themelin për një tregëti intra-CEFTA të përmirësuar, bashkëpunim më të mirë doganor dhe pika kufitare/kaluese moderne (PK/PK). Obligohemi t’i përfundojmë hapat e nevojshëm për zbatimin e marrëveshjeve përkatëse dhe të bëjmë investimet e domosdoshme për të shfrytëzuar tërësisht potencialin e Tregut të Përbashkët Rajonal.
12. Në përputhje meUdhërrëfyesin Gjithëpërfshirës, Komuniteti i Transportit, në bashkëpunim me Sekretariatin e CEFTA-s, ka zhvilluar 11 përmbledhje projektesh për pikat kryesore kufitare midis vendeve të gjashtës së Ballkanit Perëndimor dhe BE-së. Zbatimi i plotë i këtyre përmbledhjeve të projekteve mund ta ulë kohën e pritjes deri në 70%. E përshëndesim angazhimin e Komisionit Evropian për të siguruar mbështetje teknike për përgatitjen e projekteve të investimit dhe financimin e nevojshëm për realizimin e tyre, si dhe angazhohemi të bashkëpunojmë me shtetet anëtare fqinje të BE-së për të harmonizuar procedurat tona përmes kufijve. Riafirmojmë përkushtimin tonë për zbatimin e plotë të 11 përmbledhjeve të projekteve dhe Udhërrëfyesit Gjithëpërfshirës dhe theksojmë rëndësinë e sigurimit të mbështetjes për 5 përmbledhje të projekteve shtesë të përfunduara së fundmi në kuadër të nismës së Korridoreve të Gjelbërta.
13. Obligohemi t’i përfundojmë Rrjetet Transevropiane, të cilat janë kyçe për të siguruar lidhjen e rajonit, integrimin rajonal dhe integrimin në Tregun e Vetëm të BE-së. Për këtë qëllim, do të shfrytëzojmë maksimalisht burimet e disponueshme, veçanërisht përmes Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor.
14. Duke njohur rëndësinë e një mekanizmi efikas për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve tregtare, e përgëzojmë miratimin e nëntë marrëveshjeve historike nga Palët e CEFTA-s në tetor të vitit 2024 dhe katër marrëveshjeve të tjera më 6 mars 2025, të dizajnuara për të transformuar tregtinë dhe bashkëpunimin ekonomik. Kërkojmë ratifikimin e shpejtë të Protokollit 7 nga të gjitha palët. Këto marrëveshje premtojnë përfitime reale dhe të prekshme – thjeshtim të operacioneve të biznesit, krijim të mundësive të reja të punësimit dhe forcim të mbrojtjes së konsumatorit. Në këtë drejtim, përzgjedhja e Drejtorit të Sekretariatit të CEFTA-s është bërë çështje urgjente dhe do të bëjmë gjithçka që është në fuqinë tonë për të siguruar një zgjidhje të shpejtë, në mënyrë që CEFTA të funksionojë sërish në mënyrë të rregullt.
15. Duke pasur prioritet integrimin gradual në Tregun e Vetëm të BE-së, e përshëndesim nisjen e tri nismave të reja të prezantuara nga Komisioni. Nisma “Udhërrëfyes drejt Tregut të Vetëm” bashkon disa komponentë – aleanca strategjike, konvergjencë rregullatore dhe forcim të rrjeteve ndërmjet nesh dhe Bashkimit Evropian – në një kornizë të vetme sipas Shtyllës 1 të Planit të Rritjes dhe do t’u japë shtysë të re përpjekjeve tona në secilën nga këto fusha.
16. Sa i përket konvergjencës rregullatore, BP6 dhe Komisioni Evropian do të bashkëpunojnë për Marrëveshjet për vlerësimin dhe njohje të prodhimeve industriale (ACAA) dhe për themelimin e Akademisë së Tregut të Vetëm, e cila nisi zyrtarisht më 23 qershor. Këto nisma do të sigurojnë që sistemet tona vendore të përshtaten plotësisht me standardet e BE-së. I përshëndesim udhërrëfyesit e propozuar dhe shprehim gatishmërinë tonë për të ndërmarrë hapat e nevojshëm për finalizimin e këtyre marrëveshjeve. Besojmë se ACAA përbëjnë një mundësi të rëndësishme për industritë vendore që të harmonizohen me rregullat dhe parimet e tregut të brendshëm të BE-së, duke mundësuar integrim më të lehtë tregtar.
17. Gjithashtu, e përshëndesim ofertën e Komisionit për të ndihmuar në lehtësimin e zhvillimit të ekosistemit turistik të Ballkanit Perëndimor, përmes integrimit të aktorëve rajonalë të turizmit në organet dhe mekanizmat në nivel të BE-së. Kjo do ta mbështesë tranzicionin drejt një industrie turistike më të gjelbër, më digjitale dhe më rezistente, si dhe do të ndihmojë në përmirësimin e aftësive, në përputhje me politikat e BE-së. Gjithashtu, e përshëndesim ofertën e Komisionit në fushën e mbrojtjes së konsumatorit, që synon rritjen e sigurisë së konsumatorëve dhe ndërgjegjësimin për të drejtat e tyre në të gjithë rajonin, duke forcuar kapacitetin për zbatimin e ligjeve të autoriteteve vendore.
18. Për të kontribuar në konkurrueshmërinë industriale dhe për ta forcuar autonominë strategjike të hapur të BE-së, palët e interesuara nga BP6 i janë bashkuar Aleancës për Barnat Kritike. Si anëtarë të kësaj Aleance, synojmë të luajmë rol aktiv në forcimin dhe diversifikimin e zinxhirëve të furnizimit me barna kritike në BE, duke i përforcuar përpjekjet për të parandaluar dhe zgjidhur në mënyrë efektive mungesat. Në vitet e fundit, mungesa të substancave aktive thelbësore janë paraqitur në nivel lokal, evropian dhe më gjerë. Në këtë drejtim, i përshëndesim udhërrëfyesit e propozuar dhe e njohim pjesëmarrjen në Aleancën për Barnat Kritike si një mundësi të rëndësishme për partneritet strategjik me BE-në për të përmirësuar prodhimin dhe qasjen në barna kritike.
19. E përshëndesim prezantimin e strukturës së Instrumentit për Monitorimin e TPR të cilin po e zhvillon Këshilli për bashkëpunim rajonal dhe e mbështesim parimin e monitorimit transparent dhe objektiv të përparimit rajonal në zbatimin e Planit për Veprim të TPR 2025–2028.
20. Duke riafirmuar përkushtimin tonë ndaj vazhdimësisë së këtij bashkëpunimi të frytshëm, kemi kënaqësinë të njoftojmë se takimi i radhës i liderëve të BP6 për Planin e Rritjes do të mbahet në Tiranë. Jemi të vetëdijshëm se zbatimi i suksesshëm i Planit të Rritjes dhe përparimi ynë ekonomik varen nga angazhimi dhe bashkëpunimi ynë i vazhdueshëm. Jemi të gatshëm për fazën e ardhshme të bashkëpunimit, e cila do të çojë gradualisht drejt një Tregu të Përbashkët Rajonal efikas, të integruar mirë në Tregun e Vetëm të BE-së.
21. BP6 janë të përkushtuara për të intensifikuar përpjekjet për të ndjekur obligimet dhe zotimet e mëparshme. Secili në mënyrë individuale duhet të trajtojë dhe eliminojë me kujdes pengesat ndaj interesave të përbashkëta që burojnë nga kjo agjendë, të cilën e njohim si shumë të dobishme për qytetarët tanë, për prosperitetin ekonomik dhe për integrimin evropian të rajonit tonë. Për këtë qëllim, obligohemi të sigurojmë funksionim të plotë të institucioneve rajonale për ta nxitur Tregun e Përbashkët Rajonal dhe për t’u përgatitur për një integrim më të thellë në Tregun e Vetëm të BE-së.
Shkarkoni dokumentin këtu.