Me nder të veçantë dhe ndjenjë përgjegjësie, sot e shënojmë njëvjetorin e themelimit të Ministrisë për Transformim Digjital – një kapitull i ri, por thelbësor në sistemin politik të Maqedonisë – theksoi ndër të tjera Ministri për Transformim Digjital, Stefan Andonovski, në konferencën për shtyp me rastin e njëvjetorit të themelimit të Ministrisë.
“Çfarë kemi arritur për një vit? Së pari, shërbimet erdhën tek qytetarët, jo e kundërta. 120 shërbime të reja, një numër që vazhdimisht rritet. Prandaj, më shumë se 170 mijë qytetarë e kanë njohur këtë,” tha ministri, duke kujtuar se qytetarët tani mund t’i marrin shërbimet online përmes portalit uslugi.gov.mk, si dhe se me ndryshimet në ligjin për dokumentet elektronike, për herë të parë, dokumente të vlefshme ligjërisht mund të merren pa prani fizike, me nënshkrim elektronik, QR kod, në formë elektronike ose të printuara.
Ai theksoi gjithashtu se nuk janë harruar qytetarët që nuk kanë qasje në mjetet digjitale apo nuk kanë aftësi të nevojshme, kështu që gjatë verës, përveç tre Qendrave të reja për shërbime, do të hapen edhe të paktën tre të tjera.
“E kemi lidhur shtetin. Përmes platformës për interoperabilitet, sot mbi 70 institucione shkëmbejnë të dhëna në kohë reale. Në vend që qytetari të bartë dokumente nga një sportel në tjetrin – institucionet kanë nisur të komunikojnë në mënyrë elektronike. Po ashtu, kemi përforcuar mbrojtjen e sistemeve shtetërore. Fillimisht, pas një vakumi trevjeçar, e sollëm Strategjinë Kombëtare për Siguri Kibernetike. Ajo ka buxhet, plan veprimi dhe përgjegjësi të qarta për të gjitha palët e përfshira,” tha Andonovski.
Ministri e theksoi edhe miratimin e katër ligjeve reformuese të harmonizuara me rregullativën e BE-së, siç është Ligji për komunikime elektronike, Ligjin e parë për siguri kibernetike, Ligjin për veprimtari arkivore dhe Ligjin për dokumente elektronike. Është formuar edhe Sektori për Siguri Kibernetike, në kuadër të së cilit pritet të funksionojë edhe Qendra Qeveritare për Reagim ndaj Incidenteve (SOC).
Sa i përket mbrojtjes digjitale të fëmijëve dhe të rinjve, Andonovski tha se Ministria po punon aktivisht për themelimin e Qendrës Kombëtare për Internet më të Sigurt – MKSafeNet, i cili do të jetë sistemi i parë kombëtar i këtij lloji, me prioritet maksimal për sigurinë e të miturve në botën digjitale.
Ai u ndal edhe te ndalesa e mbi 220 faqeve për bixhoz online të paligjshëm – si rezultat konkret i analizës digjitale dhe ndjekjes së adresave IP dhe mekanizmave VPN.
Në fund, ministri e përmendi programin Evropa Digjitale dhe projektin më të rëndësishëm në të: INNOFEIT – Qendra Evropiane për Inovacion Digjital, e cila është rezultat i bashkëpunimit strategjik ndërmjet Qeverisë, komunitetit akademik (FETI) dhe sektorit privat, duke theksuar se me investime mbi 60 milionë denarë, INNOFEIT është dëshmi se Maqedonia ka kapacitet jo vetëm të ndjekë, por edhe të udhëheqë proceset rajonale të digjitalizimit dhe inovacioneve.
“Në këto 12 muaj treguam se me një strategji të qartë, bashkëpunim ndërinstitucional dhe mbështetje nga partnerët – mund të arrihen rezultate që drejtpërdrejt përmirësojnë shërbimet publike dhe rrisin besimin në sistemin shtetëror,” tha Andonovski.