Në kuadër të vizitës së punës në Dublin, Ministri për Çështje Evropiane, Orhan Murtezani, mbajti takim me anëtarët e Komitetit të përbashkët të dy dhomave të Parlamentit Irlandez për çështje lidhur me Bashkimin Evropian, i cili konsiderohet si një nga forumet më të angazhuara parlamentare në Irlandë kur bëhet fjalë për ndjekjen dhe formësimin e politikave evropiane. Në takim morën pjesë Zëvendëskryetari i Komitetit, Senatori Ajdan Davit, Kryetari i Komitetit për Punë të Jashtme dhe anëtari i Komitetit për Çështje me BE-në, Xhon Lahart, si dhe deputetja Pola Baterli dhe senatorja Fiona O’Laflin, gjithashtu anëtarë të Komitetit.
Përmes diskutimit të hapur dhe dinamik me parlamentarët irlandezë, Ministri Murtezani informoi për çështjet lidhur me zbatimin e vazhdueshëm të Agjendës së Reformave 2024-2027 të Maqedonisë së Veriut dhe aktivitetet lidhur me Planin e Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor, duke prezantuar njëkohësisht edhe konkluzionet e Samitit i cili u mbajt dy ditë më parë në Shkup, pikërisht në këtë temë. Ministri dhe parlamentarët diskutuan edhe për dinamikën e realizimit të detyrimeve lidhur me Planin e Rritjes, me qëllim avancimit të harmonizimit ekonomik dhe gatishmërisë institucionale të vendit.
Ai theksoi se Maqedonia e Veriut në mënyrë aktive është e përfshirë në proceset rajonale, duke arritur rezultate konkrete në përmbushjen e kushteve për lëshimin e mjeteve dhe se tanimë është pjesë e mekanizmit evropian të sundimit të së drejtës. Gjithashtu Murtezani i informoi deputetët për progresin aktual të Maqedonisë së Veriut në kuadër të procesit euro-integrues, në pjesën e përmbushjes së standardeve nga Klasteri 1, Vlerat Themelore. Ai theksoi se Qeveria plotësisht është e përkushtuar në thellimin e reformave në sundimin e së drejtës, efikasitetin e administratës publike dhe përforcimin e institucioneve demokratike, në bashkëpunim të ngushtë me Komisionin Evropian.
MÇE Murtezani kishte shkëmbim konstruktiv mendimesh me anëtarët e Komitetit në tema lidhur me integrimin ekonomik të Maqedonisë së Veriut, rezistencën e institucioneve dhe përgatitjen e vendeve kandidate për anëtarësim. Interes i veçantë u shpreh për mekanizmat përmes të cilëve Maqedonia e Veriut avancon transparencën, sundimin e së drejtës dhe përdorimin efektiv të IPA fondeve. Të dyja palët ndanë gatishmërinë për thellimin e bashkëpunimit parlamentar, posaçërisht edhe përmes funksionimit pro aktiv të Grupeve Parlamentare për miqësi dhe vizitave të ndërsjella të delegacioneve parlamentare.
Ministri falënderoi anëtarët e Komitetit, të cilët vazhdimisht kanë afirmuar mbështetjen e tyre për politikën e zgjerimit të Bashkimit Evropian, duke përfshirë perspektivën evropiane të Maqedonisë së Veriut dhe vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor, dhe ndanë qëndrim të përbashkët se integrimi i rajonit është çështje e rëndësisë strategjike dhe sigurie për Unionin. Në takim, njëzëri u vlerësua se është i nevojshëm bashkëpunim më i ngushtë i ndërsjellë midis dy vendeve, si dhe krijimi i dinamikës politike që do të sigurojë progres të parashikueshëm dhe të merituar për vendin, veçanërisht në kontekst të kryesimit të ardhshëm irlandez me Këshillin e BE-së.