“Sot ndodhem në Institutin Hidrobiologjik – Ohër, me rastin e pasurimit me peshqi të Liqenit të Ohrit, në përputhje me marrëveshjen që kemi nënshkruar në Ministri me Institutin Hidrobiologjik – Ohër dhe Institutin për Blegtori dhe Peshkim, sipas Programit për vitin 2024”, theksoi ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Cvetan Tripunovski.
“Detyrimi është që Liqeni i Ohrit të pasurohet me peshqi me të paktën 400,000 copë të troftës së Ohrit, të rritura në Institutin Hidrobiologjik – Ohër, dhe 200,000 njësi nga Instituti për Blegtori dhe Peshkim”, shtoi ministri.
Ai theksoi se është informuar nga Instituti Hidrobiologjik – Ohër se, edhe pse minimumi ishte 400,000 copë, në fakt janë rritur 620,000 copë të cilat do të përdoren për pasurimin e Liqenit të Ohrit në periudhën e ardhshme. Nga Instituti për Blegtori dhe Peshkim njoftuan se nga minimumi i parashikuar prej 200,000, janë rritur rreth 350,000 copë të troftës së Ohrit.
“Ky është tregues se pas gjashtë vjetësh stagnim, po vazhdojmë me pasurimin e peshqive të asaj që përbën pasurinë tonë më të madhe, e ajo është trofta e Ohrit”, theksoi ministri Tripunovski.
“Kemi një rritje të mjeteve në lidhje me Programin për Peshkim dhe Akuakulturë. Marrëveshjet për vitin e ardhshëm me Institutin Hidrobiologjik – Ohër janë në vlerë prej 3,3 milion denarë, ndërsa me Institutin për Blegtori dhe Peshkim janë 1,7 milion denarë. Numri total i peshqve që duhet të rriten nga Instituti Hidrobiologjik – Ohër është rreth 1,1 milion copë me peshë mesatare prej 3 gram. Ndërsa Instituti për Blegtori dhe Peshkim ka detyrimin të rrisë rreth 570,000 copë”, shtoi ministri Tripunovski.
Ai vuri në dukje se vitin e ardhshëm Liqeni i Ohrit do të pasurohet me peshqi me mbi 1,6 milion copë. “Si Ministri punojmë për të mirëmbajtur fondin peshkues”, përfundoi ministri.