Nikolloski: E fituam kontestin e arbitrazhit për minierën Kazandoll dhe kursyem 115 milionë euro

“Arritëm të kursejmë 115 milionë euro pasi fituam arbitrazhin me një pjesë të investitorëve të minierës Kazandoll në Vallandovë”, theksoi në konferencën e sotme për shtyp zëvendëskryeministri dhe ministër i Transportit, Aleksandar Nikolloski, i cili është edhe kryetar i trupit koordinues të Qeverisë për kontestet e arbitrazhit.

Shteti ishte paditur nga disa investitorë të minierës Kazandoll në Vallandovë. Kërkesa e tyre ishte dëmshpërblim prej 115 milionë eurosh dhe mund të them me krenari, si kryetar i trupit koordinues të arbitrazhit të Qeverisë, se këtë rast e fituam. Të gjitha 11 bazat mbi të cilat ishte paditur shteti u hodhën poshtë dhe u kursyen 115 milionë euro, dëmshpërblim potencial që shteti duhej ta paguante në këtë rast, theksoi zëvendëskryeministri Nikolloski.

Ai theksoi se Qeveria e kaluar këtë rast e kishte mbyllur në vitin 2023 dhe ishte pajtuar që shteti t’ua paguante investitorëve 115 milionë euro.

“Dua të theksoj se rasti nuk ishte i lehtë, duke pasur parasysh se Qeveria e kaluar tashmë e kishte mbyllur me fjalët përfundimtare më 18 janar 2023. Por pas ardhjes së kësaj Qeverie, ne kërkuam që rasti të rihapej dhe ai u rihap më 28 janar të këtij viti. Kur paditësit e kuptuan se puna nuk po u shkonte mirë, ata ofruan një marrëveshje me Qeverinë për një shumë më të vogël, që varionte nga 35 deri në 48 milionë euro. Ne e refuzuam atë marrëveshje sepse ishim të bindur në argumentet tona dhe kjo doli e saktë – pra e fituam këtë rast dhe Maqedonia nuk do të paguajë asnjë euro në çështjen ‘Kazandoll’”, theksoi Nikolloski.

Ai shprehu dyshime se kontestet e arbitrazhit në vitet e kaluara janë zgjidhur në dëm të shtetit.

“Prej momentit që unë e udhëheq këtë trup, në koordinim me kryeministrin Mickoski dhe me anëtarët e Qeverisë, punojmë në mënyrë aktive në arbitrazhet e hapura kundër shtetit dhe dua të shpreh një dyshim, sepse për momentin nuk kam më shumë se kaq. A janë hapur këto konteste arbitrazhi kundër Maqedonisë vetëm sepse kështu kanë menduar investitorët, apo ka pasur ndonjë marrëveshje me disa anëtarë të Qeverisë dhe si ndodhi që ne tani po arrijmë t’i fitojmë, ndërsa më parë opinioni bindjej se ato do të humbeshin”, u shpreh zëvendëskryeministri Nikolloski.

Me respekt