Nikolloski: Fillojmë aktivitete për rikonstruksionin e plotë të hekurudhës nga Shkupi deri në Kërçovë

Qeveria miratoi vendim për fillimin e përgatitjeve dhe aktiviteteve përgatitore për rikonstruksionin e plotë, modernizimin dhe elektrifikimin e linjës hekurudhore nga Shkupi deri në Kërçovë në korridorin 8, theksoi sot zëvendëskryeministri dhe ministër i transportit Aleksandar Nikolloski. 

Në fazën e parë, përmes Bashkimit Evropian do të sigurohet grant prej 5,3 milionë euro për studim fizibiliteti, ndërsa institucion udhëheqës do të jetë Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, e cila do të zgjedhë Konsulent për përgatitjen e studimeve sipas standardeve më të larta evropiane. Pas përfundimit të analizave, në fazën e dytë do të fillojnë punimet në hekurudhë, theksoi zëvendëskryeministri Nikolloski. 

“Kjo është pika e radhës në pjesën e infrastrukturës hekurudhore në Maqedoni. Tani fillojmë me aktivitete përgatitore edhe për krahun perëndimor të korridorit 8, duke filluar me linjën ekzistuese hekurudhore nga Shkupi deri në Kërçovë, e cila është në gjendje të keqe, sepse aktualisht është e pamundur të operojnë trenat mbi të, prandaj vendosëm ta rikonstruktojmë. Së dyti, do të vendosim sinjalizim modern sipas standardeve më të mira evropiane për siguri dhe sinjalizim dhe së treti, do ta elektrifikojmë, sepse edhe sikur linja të ishte në gjendje të mirë, mbi të do të mund të operonin vetëm lokomotiva me naftë. Kjo do të thotë lidhje më e mirë mes Shkupit, Jegunovcit, Tetovës, Gostivarit dhe Kërçovës. Për këtë kemi biseduar me BE-në dhe u dakorduam që BE të sigurojë grant prej 5,3 milionë eurosh për studim fizibiliteti me analizë të kostove dhe përfitimeve, projekte ideore dhe draft tekst për grant investues. Për të njëjtën, institucion udhëheqës do të jetë BERZH-i, sipas procedurave të brendshme të Bankës, ata do të zgjedhin Konsulent që do t’i përgatisë këto studime, ndërsa afati për përgatitjen e këtyre studimeve sipas standardeve më të larta evropiane është 18 muaj dhe pas kësaj kalojmë në fazën e dytë, pra punimet në terren”, theksoi zëvendëskryeministri Nikolloski. 

Ai shtoi se në fazë të avancuar është ndërtimi i hekurudhës së shpejtë në korridorin 10, po ashtu është vënë në funksion hekurudha nga Kumanova deri në Beljakovcë, gjithashtu po punohet në linjën nga Beljakovcë deri në Kriva Pallankë dhe jemi para marrëveshjes finale me Bullgarinë për lidhjen hekurudhore.