Ministri Minçev: Reformat nuk janë proces i mbyllur, këtu jemi së bashku me qytetarët

Ministri i Administratës Publike, Goran Minçev, mori fjalë në debatin publik mbi draftin e azhurnuar të Planit për Veprim 2025–2026 të Strategjisë për Reformën e Administratës Publike (RAP), i cili u organizua nga Ministria e Administratës Publike.

Në ngjarje morën pjesë përfaqësues nga institucionet, shoqëria civile, partnerët ndërkombëtarë dhe ekspertë nga SIGMA, ndërsa fjalim mbajti edhe Bagrat Tunijan, drejtues i SIGMA-s në Republikën e Maqedonisë.

Ministri Minçev në fjalimin e tij theksoi se aktivitetet e rishikuara janë rezultat i ndryshimeve thelbësore në kuadrin institucional dhe ligjor, si dhe i nevojës për përshtatje reale të reformave me prioritetet e reja qeveritare dhe rekomandimet e Raportit të SIGMA-s të vitit 2024.

“Administrata publike është motori jetik i shtetit. Detyra jonë është të forcojmë atë zemër, t’i japim një ritëm të ri, ritëm evropian, ritëm që do t’i shërbejë qytetarëve dhe jo partive apo interesave të ngushta,” theksoi Minçev.

Ai gjithashtu theksoi rëndësinë e procesit konsultativ me palët e përfshira, i cili rezultoi me Planin e Veprimit të rishikuar, duke nënvizuar se “reforma nuk është proces i mbyllur, ajo është e hapur, e lidhur drejtpërdrejt me qytetarët, institucionet, shoqërinë civile dhe partnerët ndërkombëtarë.”

Qëllimi i debatit publik ishte të prezantohet dhe diskutohet me palët e përfshira drafti i azhurnuar i Planit të Veprimit për RAP, i cili reflekton prioritetet e reja nga programi qeveritar 2024–2028, si dhe gjetjet kyçe nga raportet mbi zbatimin e strategjisë dhe procesin e integrimit evropian.

“Vizioni ynë është i qartë: administratë e fortë, profesionale dhe evropiane, e cila nuk do të jetë barrë, por motor i zhvillimit,” theksoi Ministri Minçev në fjalimin e tij.

Debati publik paraqet hapin e fundit para miratimit formal të Planit për Veprim të azhurnuar, i cili do të shërbejë si bazë për përmirësimin e mëtejshëm të administratës publike në funksion të qytetarëve dhe në përputhje me standardet evropiane.