Andonovski: Reformat digjitale janë shtytës për shërbime më të mira dhe më pak burokraci për qytetarët

Ministri i Transformimit Digjital, Stefan Andonovski, sot shprehu mirënjohje dhe krenari që Republika e Maqedonisë ishte nikoqire e Samitit Digjital të Ballkanit Perëndimor, një ngjarje me rëndësi që e pozicionon shtetin dhe qytetin e Shkupit si një qendër rajonale kyçe për inovacionet digjitale.
“Me mbajtjen e këtij Samiti, të cilin solemnisht e hapi Kryetari i Qeverisë Hristijan Mickoski, po dërgojmë një mesazh të qartë se Maqedonia është e gatshme ta udhëheqë transformimin digjital në rajon. Çdo reformë digjitale që e zbatojmë është e orientuar drejt qytetarëve – drejt shërbimeve më të shpejta, më efikase, drejt uljes së burokracisë dhe krijimit të mundësive të reja,” deklaroi Andonovski.
Ai theksoi se digjitalizimi nuk është vetëm një ndryshim teknologjik, por një transformim thelbësor që ndikon drejtpërdrejt në cilësinë e jetës – për qytetarët që kërkojnë qasje më të mirë në shërbimet publike, për familjet që kanë nevojë për një sistem shëndetësor dhe arsimor më cilësor, për kompanitë që dëshirojnë një veprimtari afariste më të lehtë dhe për të rinjtë që e shohin të ardhmen e tyre këtu, në rajon.
Si pjesë e fjalimit të tij, ministri prezantoi edhe nismën për zgjerimin e modelit “roaming si në shtëpi” drejt Bashkimit Evropian – një hap që, siç tha ai, do të thotë ulje reale e shpenzimeve të komunikimit dhe përmirësim i lidhjes digjitale të qytetarëve me Evropën.
„Faleminderit shumë të gjithë atyre që kontribuan që ky eveniment të organizohej në nivelin më të lartë. Ekipi i Ministrisë së Transformimit Digjital bëri një punë të jashtëzakonshme për përfaqësimin dinjitoz të shtetit dhe vizionit tonë për të ardhmen digjitale“, theksoi Andonovski në fjalimin e tij zyrtar.