Ministri i Transformimit Digjital, Stefan Andonovski, në hapjen e Samitit Digjital të Ballkanit Perëndimor (WBDS) 2025, njoftoi se po punohet intensivisht në një iniciativë për zgjerimin e roamingut të lirë mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian.
“Shpresoj që kjo ngjarje do të jetë një platformë për lidhjen e të gjitha vendeve, jo vetëm si mundësi për diskutim, por edhe si një përpjekje e përbashkët për rezultate reale. Të nxitur nga Këshilli Rajonal për Bashkëpunim, kemi miratuar një deklaratë të përbashkët që do të drejtojë një thirrje ndaj BE-së dhe të gjithë fqinjëve tanë për futjen e iniciativës ‘roaming si në shtëpi’ – me çka do të uleshin kostot për internet, thirrje telefonike dhe mesazhe SMS mes Ballkanit Perëndimor dhe gjithë Europës,” theksoi ministri Andonovski.
Ai shtoi se marrëveshja ekzistuese rajonale për roaming midis vendeve të Ballkanit ka treguar se është një model i suksesshëm, dhe se hapi tjetër është zgjerimi i saj në të gjithë territorin e BE-së. Kjo do të thotë se qytetarët nuk duhet të paguajnë kosto shtesë për thirrje, mesazhe dhe internet kur udhëtojnë në vendet anëtare të këtyre zonave. Në vend që kjo të jetë një përfitim vetëm për vendet e Ballkanit Perëndimor ndërmjet tyre, Qeveria po punon për futjen e kësaj praktike edhe me të gjitha vendet e BE-së.
Andonovski theksoi se vendi ynë tashmë ka përfunduar pjesën më të madhe të detyrimeve për përmbushjen e kritereve të vendosura nga Komisioni Evropian. “Presim që deri në fund të vitit të përmbushim të gjitha kushtet për t’u bashkuar me zonën e përbashkët evropiane të roamingut,” deklaroi ministri.
Gjatë fjalimit të tij, ministri theksoi edhe temat kryesore të samitit – digjitalizimi, interoperabiliteti, siguria kibernetike, roli i inteligjencës artificiale, si dhe portofoli digjital.