Nikolloski nga Mbretëria e Bashkuar: Maqedonia është në rrugën e duhur për të realizuar projekte të mëdha infrastrukturore në fushën e transportit hekurudhor dhe rrugor

Marrëdhënie të qëndrueshme ekonomike dhe politike, nivel i lartë i bashkëpunimit tregtar mes Maqedonisë dhe Mbretërisë së Bashkuar, dhe partner i fortë në realizimin e qëllimeve strategjike të vendit.  Kjo u konstatua gjatë takimit ndërmjet zëvendëskryeministrit dhe ministrit të transportit Aleksandar Nikolloski dhe ministrit shtetëror në Departamentin për Biznes dhe Tregti në Qeverinë e Mbretërisë së Bashkuar, Sir Kris Brajan, që u mbajt sot në Londër. 
“Maqedonia është në rrugë për të realizuar projekte të mëdha infrastrukturore në fushën e transportit hekurudhor dhe rrugor, si dhe në infrastrukturën shëndetësore, me mbështetje të madhe nga Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar përmes Marrëveshjes së Bashkëpunimit,” theksoi në takim zëvendëskryeministri Nikolloski.
Pikërisht investimet dhe transferimi i përvojave e njohurive të reja që dalin nga Marrëveshja e Bashkëpunimit do t’i afrojnë të dy vendet drejt vendosjes së partneriteteve strategjike dhe realizimit të projekteve infrastrukturore rajonale.
Një bashkëpunim i tillë paraqet një kapitull të ri në partneritetin strategjik investues midis Maqedonisë dhe Mbretërisë së Bashkuar, potencoi zëvendëskryeministri Nikolloski. Ai konfirmoi përkushtimin dhe veprimet e fuqishme që po ndërmerr Qeveria për zhvillimin ekonomik të vendit, si dhe për lidhjen dhe bashkëpunimin rajonal.
Në takim u diskutuan zhvillimet e reja në marrëdhëniet ekonomike midis dy vendeve, me fokus të veçantë në projektet që do të zbatohen në përputhje me Marrëveshjen e Bashkëpunimit, si dhe mbështetjen që Mbretëria e Bashkuar do të ofrojë në zbatimin e tyre.
Mbretëria e Bashkuar është një mbështetëse e fortë e vendeve të Ballkanit Perëndimor, përfshirë Maqedoninë, dhe si rezultat i një bashkëpunimi të tillë, investimet nga Mbretëria e Bashkuar kanë një ndikim të fortë në rritjen e ekonomisë maqedonase, vuri në dukje zëvendëskryeministri Nikolloski.
Ministrat janë pjesë e delegacionit qeveritar të kryesuar nga Kryeministri Hristijan Mickoski, i cili po merr pjesë në Samitin për Ballkanin Perëndimor - Procesi i Berlin, i cili po zhvillohet në Londër. 
Delegacioni qeveritar do të zhvillojë sot dhe nesër disa takime ekonomike dhe politike me përfaqësues të lartë qeveritarë të Mbretërisë së Bashkuar.