Minçev: Administrata publike duhet të jetë vend ku njerëzit rriten, kontribuojnë dhe ndihen mirë

Ministri i Administratës Publike, Goran Minçev, sot mbajti fjalim në hapjen e programit kombëtar të certifikimit “Quintaum MACEX 2025/2026”, i organizuar nga Shoqata Maqedonase për Përvojën e Klientëve dhe të Punonjësve – MACEX, në partneritet me Institutin Vita dhe metodologjinë globale Quintaum. 

Ngjarja bashkoi përfaqësues të sektorit publik dhe atij privat, komunitetit akademik dhe shoqërisë civile, ndërsa mori pjesë edhe ambasadori i Republikës së Sllovenisë, Sh.T. Gregor Presker.

Ministri Minçev theksoi se Ministria e Administratës Publike do të jetë institucioni i parë nga sektori publik që i bashkohet këtij programi, si sinjal i qartë se ndryshimet në administratë fillojnë nga brenda, përmes dëgjimit të zërit të punonjësve dhe matjes së përvojës së tyre të vërtetë. 

“Jemi krenarë që pikërisht Ministria e Administratës Publike do të jetë institucioni i parë që i bashkohet programit ‘Quintaum MACEX’.
Me këtë tregojmë se reformat nuk janë vetëm ndryshime ligjore, por edhe një mënyrë e re të të menduarit – një administratë që dëgjon njerëzit e saj, vlerëson përvojat e tyre dhe ndërton kulturë përkatësie dhe motivimi,” – deklaroi ministri.

Ai iu referua edhe bashkëpunimit me Republikën e Sllovenisë, duke theksuar se ky partneritet përfaqëson një shtysë të fortë për zhvillimin e politikave moderne në menaxhimin me burimet njerëzore dhe kulturës organizative. 

“Me Slloveninë kemi vendosur një partneritet të vërtetë – përmes Memorandumit të Bashkëpunimit midis dy ministrive, ndërsa me pjesëmarrjen e Ambasadës së Republikës së Sllovenisë në program, po hapim një kapitull të ri të shkëmbimit të njohurive, përvojave dhe praktikave të mira. 
Kjo është dëshmia më e mirë se kjo nismë ka përmasa dhe kredibilitet evropian,” – theksoi ai.

Programi “Quintaum MACEX 2025/2026” përfaqëson qasje inovative për matjen dhe përmirësimin e përvojës së punonjësve në sektorin publik dhe privat, me qëllim krijimin e një administrate më të motivuar, më të fortë dhe më njerëzore. 

Në fjalimin e tij, ministri Minçev theksoi se administrata publike nuk është një strukturë e izoluar, por një organizatë e gjallë që zhvillohet me njerëzit dhe për njerëzit.

“Qëllimi ynë është të ndërtojmë sektor publik që frymëzon, e jo vetëm që funksionon. Sektor që është i fortë, njerëzor dhe i denjë për besimin e qytetarëve,” – përfundoi Minçev. 

Ministria e Administratës Publike mbetet nxitësi i reformave në sektorin publik, të orientuara drejt ndërtimit të një administrate moderne, të motivuar dhe evropiane që punon për të mirën e qytetarëve.