Mickoski: Energjia është vendosur lart në agjendën shtetërore, jo si një çështje teknike, por si prioritet nacional dhe strategji shtetërore

Të nderuar përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare, ambasadorë, liderë ekonomikë dhe ekspertë,
Të nderuar ministra, përfaqësues të qeverive, institucioneve financiare dhe komunitetit akademik,
Të nderuar mysafirë,
Është një nder i madh që pikërisht Shkupi sot është nikoqir i këtij Forumi të 14-të Ndërkombëtar për Energjetikë dhe Zhvillim të Qëndrueshëm — një ngjarje që bashkon mendjet më të mëdha, vizionarët dhe praktikuesit nga mbi 70 vende.
Ky është një moment krenarie, por edhe moment përgjegjësie.
Jam krenar që Maqedonia sot është në qendër të debatit botëror për të ardhmen e energjisë, dhe edhe më krenar që bota po na sheh jo si një vend të vogël, por si një partner serioz, i cili në mënyrë aktive po formëson agjendën për zhvillim të qëndrueshëm.
Fakti që sot këtu në Shkup zhvillohet ky diskutim global tregon se e ardhmja energjetike rajonale mund – dhe duhet – të ndërtohet pikërisht këtu, në vendin tonë.
Kjo është mundësia jonë për të treguar se një vend me sipërfaqe të vogël mund të ketë ndikim të madh – kur ka vizion të qartë, vendosmëri dhe udhëheqje.
Dua të theksoj rolin dhe vizionin e ministres së energjetikës, e cila është e vendosur t’i shtyjë përpara proceset në një kohë të shkurtër, t’i përshpejtojë ato dhe të mos lejojë që Maqedonia të mbetet prapa në garën me kohën.
Si një person që vetë vjen nga sektori energjetik, e di shumë mirë sa e rëndësishme është ndjenja e lëvizjes së vazhdueshme, e ndryshimit dhe e përgjegjësisë.
Pikërisht për këtë arsye, energjetika është vendosur lart në agjendën shtetërore – jo si një çështje teknike, por si prioritet nacional dhe strategji shtetërore.
Tranzicioni energjetik dikur dukej i paarritshëm, i kushtueshëm dhe i ngadalshëm. Por ne po e bëjmë të mundur.
Çdo panel diellor, çdo turbinë ere, çdo termocentral i ri që punon me energji të pastër – është pjesë e luftës sonë moderne për pavarësi.
Bota sot po ndryshon me një ritëm të përshpejtuar.
Ajo që dikur nënkuptonte furnizues të sigurt, sot do të thotë sistem fleksibël, treg rezistent dhe burime të pastra energjie.
Stabiliteti energjetik nuk është më vetëm çështje ekonomike, por edhe çështje sigurie.
Turbulencat globale na kujtojnë se pavarësia energjetike është kusht për liri ekonomike.
E pa liri — nuk ka zhvillim, nuk ka stabilitet dhe as dinjitet.
Qeveria jonë qëndron fuqishëm pas reformave që po i zbaton Ministria e Energjetikës por edhe më e rëndësishme – po e ndërton lidhjen midis politikës dhe vizionit.
Vizioni ynë është i qartë: ta përgatisim shtetin për të ardhmen – për sfidat klimatike, për ndryshimet teknologjike dhe për rreziqet globale.
Të krijojmë një shembull rajonal të një ekonomie energjetike të qëndrueshme, të pastër dhe të pavarur.
E dimë se kjo kërkon kohë, burime dhe këmbëngulje. Por edhe më shumë kërkon besim në forcat tona.
Sepse tranzicioni nuk është vetëm teknologjik — ai është mendor, vleror dhe civilizues.
Në muajt e fundit kemi bërë hapa të rëndësishëm përpara: kemi filluar me investime intensive në burime të ripërtëritshme të energjisë, kemi vendosur korniza të qarta rregullatore, kemi ndërtuar interkonektorë energjetikë me vendet fqinje dhe kemi nisur programe për efikasitet energjetik në sektorin publik dhe privat.
Po ndërtohen parqe diellore dhe me erë që vetëm një dekadë më parë ishin një vizion në letër. Sot ato janë realitet — pjesë e rrjetit që ushqen të ardhmen.
Paralelisht, po investojmë në kapitalin njerëzor, sepse e dimë se energjia nuk vjen vetëm nga natyra, por edhe nga njerëzit që krijojnë, inovojnë dhe ëndërrojnë.
Zonja dhe zotërinj,

Energjia mund të matet në xhaul, megavat-orë apo fuçi, por ekziston edhe një energji që nuk matet në laborator – energjia njerëzore, energjia e vizionit, e punës dhe e përkushtimit.

Pikërisht këtë energji e ndiej sot këtu, në këtë sallë.

Është ajo energji që e lëviz Maqedoninë – një popull që nuk ka frikë nga ndryshimet, por i përqafon ato si sfidë dhe si mundësi.

Siç tha Uinston Çërçill: “Mos lejo që kohët e krizës të kalojnë pa i shfrytëzuar për të krijuar diçka të re.” Dhe ne ashtu veprojmë.

Krizat globale nuk i përjetojmë si pengesa, por si nxitje për zgjidhje të reja.

Nga Shkupi sot dërgojmë mesazhin se energjia e qëndrueshme nuk është zgjedhje politike, por detyrim moral ndaj gjeneratave të ardhshme.

Energjia është zemra e ekonomisë. Dhe nëse ajo zemër rreh rregullisht, i gjithë sistemi jeton.

Ta mbajmë atë ritëm është përgjegjësia jonë e përbashkët, por edhe mundësia jonë më e madhe.

Çdo investim në energji të pastër është investim në jetë, shëndet, stabilitet dhe përparim.

Çdo teknologji e re që e zbatojmë, çdo kilovat që e prodhojmë pa ndotje – është një hap drejt një ekonomie që do ta fuqizon të ardhmen.

Qëllimi ynë nuk është vetëm të përmbushim qëllimet ndërkombëtare.

Qëllimi ynë është të krijojmë ekonominë e së ardhmes – inteligjente, digjitale, të gjelbër dhe rezistente.

Më lejoni të jem i qartë:

Ne nuk ikim nga tranzicioni – as nga kohët moderne.

Ecim përpara me vizion, dije dhe partneritete.

Prandaj, lejoni që kjo konferencë të mos përfundojë me fjalë, por me vepra.

Ta kthejmë energjinë e kësaj salle në hapa konkretë: hapa të investimeve, të projekteve të përbashkëta, në një rrjet besimi dhe rezultatesh.

Besoj se ajo që fillon sot në Shkup do të jetë shkëndija që do të forcojë bashkëpunimin mes vendeve dhe do të na çojë drejt një të ardhmeje energjetike më të pastër, më të fortë dhe më të drejtë.

Ju faleminderit që jeni këtu.

Ju faleminderit që e ndani këtë vizion me ne.

Dhe ju faleminderit që besoni në fuqinë e energjisë — por edhe më shumë, në fuqinë e njeriut.

Ju faleminderit.