Sot, në Qeverinë e Republikës së Maqedonisë u nënshkruan kontratat për realizimin e 98 projekteve të reja për zhvillimin e rajoneve planore, fshatrave dhe zonave me nevoja specifike zhvillimore. Projektet financohen nga Buxheti i shtetit, konkretisht nga Programet për zhvillim të barabartë rajonal të Ministrisë për vetëqeverisje lokale dhe Byrosë për zhvillim rajonal, që arrijnë në 280 milion denarë. Përfituesit dhe realizuesit e projekteve janë komunat dhe Qendrat për Zhvillimin e Rajoneve planore.
"Për vitin 2018-të, Qeveria i ka rritur fondet për zhvillim të barabartë rajonal me mbi 50 për qind, kështu që mbi 4.5 milion euro (280 milion denarë) do të investohen në projekte që i propozuan vetë komunat dhe rajonet planore duke u bazuar në prioritetet e tyre. Fjala është për projekte të infrastrukturës ose dokumentacion për projekte më të mëdha, me qëllim që komunat apo Qendrat për zhvillim të mund të sigurojnë fonde plotësuese nga burimet e donatorëve ose nga Programi IPA i Bashkimit Evropian“, theksoi ministri Suhejl Fazliu.
Ministri për vetëqeverisje lokale vuri në dukje se bashkëpunimi midis dy niveleve të qeverisjes, pushtetit qendrorë dhe atij lokal, në qendër të vëmendjes kanë nevojat reale të qytetarëve.
"Qeveria e Republikës së Maqedonisë është e vendosur të stimulojë edhe më shumë zhvillimin e barabartë rajonal, përmes rritjes së vazhdueshme të resurseve për këtë qëllim. Gjithashtu nga hartuesit e politikave në nivel rajonal pres që procesi i identifikimit të projekteve prioritare dhe idetë të jenë transparente, inovative dhe gjithëpërfshirëse, nëpërmjet konsultimeve të rregullta të me qytetarët dhe komunitetin e biznesit“, tha ministri Fazliu.
Nga mjetet e përgjithshme, për projekte për zhvillimin e rajoneve planore janë ndarë 196 milion denarë. Më shumë mjete për më pak të zhvilluarin, rajonin verilindorë, ndërsa më pak mjete për më të zhvilluarin, për rajonin e Shkupit. Projektet për zhvillimin e zonave me nevoja specifike zhvillimore financohen me 56 milionë denarë kurse projektet për zhvillimin e fshatrave me 28 milion denarë.
Në emër të përfituesve të mjeteve financiare foli kryetari i komunës “Gazi Baba” dhe kryetar i rajonit të Shkupit, Boris Georgievski i cili theksoi se për rajonet planore dhe komunat këto mjete janë shumë të rëndësishme, kryesisht për shkak se gjatë ndarjes është marrë parasysh parimi i ekuilibrit zhvillimor.
"Në periudhën e kaluar fshatrat u harruan plotësisht. Tani kemi vënë theksin në zonat rurale dhe përmirësimin e cilësisë së jetës për të gjithë qytetarët, sidomos atje ku ajo është më se e nevojshme, në zonat me nevoja specifike zhvillimore dhe në fshatra“, tha kryetari i komunës së Gazi Babës, Boris Georgievski.
Zëvendësministri Dejan Pavleski u bëri thirrje kryetarëve të komunave që në mënyrë efikase të përdorin mjetet financiare dhe në mënyrë transparente. Ai theksoi se në të ardhmen do të punohet jo vetëm në rritjen e resurseve për zhvillimin e të barabartë rajonal, por edhe në zgjidhjen e çështjeve përmes projekteve inovative.
Drejtori i Byrosë për zhvillim rajonal, Ramiz Rexhepi falënderoi kryetarët e komunave për bashkëpunimin dhe shprehu shpresën se edhe vitin e ardhshëm do të aplikojnë me projekte të cilësore të cilët do të nxisin zhvillimin e komunave dhe rajonet planore dhe do të hapin perspektiva të reja për qytetarët.