Trendi i realizimit maksimal i fondeve të Bashkimit Evropian për projekte të përbashkëta për bashkëpunim ndërkufitar do të vazhdojë. Ky është vlerësimi i të dy ministrave kompetent në promovimin e projektit "Ndërtesa të gjelbra për të ardhme të përbashkët të gjelbër ", në Blagoevgrad, Republika e Bullgarisë, ku ministri Fazliu theksoi qëndrimin e qeverisë se nuk ka alternativë tjetër për Republikën e Maqedonisë dhe se partitë politike parlamentare duhet të marrin përgjegjësinë dhe të hapin rrugën për vendin dhe qytetarët drejt ndërtimit të ardhmërisë evropiane.
Ministri për vetëqeverisje lokale, Suhejl Fazliu, sot në Blagoevgrad u takua me ministren bullgare për zhvillim rajonal dhe punë publike, Petja Avramova.
Në takim, ata diskutuan lidhur me bashkëpunimin midis dy ministrive, i cili do të zgjerohen me nënshkrimin e memorandumit, që është në procedurë qeveritare. Bashkëpunimi do të zhvillohet në fushat e vetëqeverisjes lokale, zhvillimit rajonal dhe bashkëpunimit territorial. Ministri Fazliu shprehu kënaqësinë mbi bashkëpunimin në mes të dy ministrive, shkëmbimin e praktikave të mira dhe informacioneve, ndërsa më së shumti do të punohet në forcimin e kapaciteteve institucionale.
- Për ne si ministri kjo do të jetë hap i rëndësishëm drejt forcimit të kapaciteteve tona institucionale në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian, sidomos në segmentet që janë të lidhur ngushtë me politikat e Unionit. Do të përfitojmë nga përvojat dhe praktikat e mira të Bullgarisë në zbatimin e politikës së zhvillimit rajonal dhe bashkëpunimit territorial, mbështetur financiarisht nga Bashkimi Evropian.
Takimi mes dy ministrave u zhvillua në kuadër të promovimit të projektit të përbashkët "Ndërtesa të gjelbra për të ardhme të përbashkët të gjelbër " financuar nga programi IPA për bashkëpunim ndërkufitar të Bashkimit Evropian. Projekti me vlerë prej 408 mijë euro ka për qëllim të sigurojë efikasitet energjetik të ndërtesave publike në rajonin Lindorë në Republikën e Maqedonisë dhe në rajonin e Blagoevgradit në Bullgari.
Vlerësimi i dy ministrave është se trendi i realizimit maksimal të fondeve nga Programi IPA i Bashkimit Evropian për bashkëpunim ndërkufitar do të vazhdojë.
Ministri Fazliu theksoi se Programi për bashkëpunim ndërkufitar me Bullgarinë është më i suksesshmi, me 100% fonde të shfrytëzuara nga Bashkimi Evropian. Ai shprehu shpresën se edhe në periudhën e dytë programore do të realizohen me sukses 19.5 milionë euro që i kemi në dispozicion.
- Asnjë projekt nuk do të realizohej pa bashkëpunimin e ndërsjelltë midis vendeve dhe partnerëve nga të dyja palët. Suksesi i programit u konfirmua në thirrjen e fundit publike për projekte. Interesi ishte i madh, 375 aplikantë paraqitën projekte dhe procesi i vlerësimit dhe miratimit të tyre duhet të përfundojë deri në fund të vitit. Sfida jonë e ardhshme është planifikimi i periudhës së re të programimit pas vitit 2020, tha ministrеsha Petja Avramova.
- Qeveria e Republikës së Maqedonisë e vlerëson mbështetjen që Qeveria e Republikës së Bullgarisë e jep në momentet kyçe. Shumë e rëndësishme për ne ishte mbështetja në muajt kur Bullgaria kryesoi Këshillin e Bashkimit Evropian, dhe tani kur Qeveria jonë bën çdo përpjekje për të zgjidhur kontestet dhe ndërtimin e urave të miqësisë dhe bashkëpunimit si vlerë evropiane dhe mënyrë për anëtarësimin tonë në familjen Euro-Atlantike. Qeveria e Republikës së Maqedonisë është e vendosur në qëndrimin e saj për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe në NATO. Nuk ka alternativë tjetër për Republikën e Maqedonisë ndërsa partitë politike parlamentare duhet të marrin përgjegjësi dhe të hapin rrugën për vendin dhe qytetarët e saj drejt ndërtimit të ardhmërisë evropiane, tha ministri Suhejl Fazliu.