Ministria e Kulturës e Republikës së Maqedonisë e informon opinionin se deri në mars të vitit 2019 do të kryejë nivelizimin e pagave në kulturë sipas veprimtarive.
Nivelizimi në institucionet e sferës së kulturës zbatohet për arsye se një periudhë të gjatë ka problem lidhur me parregullsitë në lartësinë e bruto koeficienteve për përllogaritjen e pagave, respektivisht për të njëjtin vend pune në dy institucione ka koeficiente të ndryshme bruto për përllogaritjen e pagës.
Gjendja e këtillë me pagat në institucionet e kulturës ka ardhur si rezultat i ndarjes joparime të bruto koeficienteve për përllogaritjen e pagës, ku nuk është zbatuar Marrëveshja kolektive. Po ashtu, në disa veprimtari të sferës së kulturës ka pasur rritje të pagës për 40%, derisa në sferën e mbrojtjes dhe në sferën bibliotekare nuk është zbatuar. Nivelizimi është në përputhje edhe me iniciativën e SPKM, që mjetet e nivelizimit të pagave të votohen dhe të inkorporohen në buxhetin për vitin 2019.
Prioritet kryesor i Ministrisë së Kulturës edhe më tej mbetet Ligji i ri për interes publik në kulturë, me miratimin e të cilit në Parlamentin e Republikës së Maqedonisë dhe pas miratimit të Ligjit të ri për administratë publike, do të krijohen kushte për nënshkrimin e Marrëveshjes së re kolektive në kulturë.
Në këtë kontekst duam të rikujtojmë se për shkak se marrëveshja kolektive për kulturën ka skaduar prej 10 vitesh, në periudhën e kaluar në Ministrinë e Kulturës u formua grup pune i përbërë nga përfaqësues të shërbimeve profesionale të Ministrisë dhe përfaqësues të të dyja sindikatave: Sindikata e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SASHK) dhe Sindikata e Punonjësve të Kulturës të Maqedonisë (SPKM) - Grup pune ky i cili punon në mënyrë aktive në analizën për valorizimin e drejtë të punës së punonjësve të kulturës. Mjetet e nevojshme për realizimin e kësaj marrëveshje do të sigurohen në mënyrë shtesë, pas analizave të kryera.
Me lidhjen e Marrëveshjes së re kolektive për kulturën, në të ardhmen do të rregullohet gjendja negative lidhur me pagat dhe do të rregullohen të gjitha çështjet e hapura në lidhje me marrëdhënien e punës të punonjësve në kulturë.
Paraprakisht, Qeveria e Republikës së Maqedonisë rekomandoi që, mjetet që janë në dispozicion në llogari të Ministrisë së Kulturës, pas pëlqimit të marrë nga Ministria e Financave, të dedikohen për rritjen e pagave për punonjësit profesional të mbrojtjes së trashëgimisë kulturore dhe, në të ardhmen, për secilin titull profesional të fituar të ketë kompensim adekuat të pagës.