Sot, në Sekretariatin për Çështje Evropiane u shënua fillimi i ndërtimit të projektit të autostradës Shkup - Bllacë, hyrja Stenkovec, ku fjalët e tyre kishin Zëvendëskryetari i Qeverisë për Çështje Evropiane, Bujar Osmani, Ministri për Transport dhe Lidhje, Goran Sugareski, përfaqësuesi i kompanisë dhe tim lideri i projektit, Martin Osborn, si dhe Drejtori i Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore, Zoran Kitanov.
“Më në fund po i vendosim pikë ndërlidhjes së autostradës mes Maqedonisë dhe Kosovës, duke shënuar fillimin zyrtar të projektit Shkup - Bllacë” - theksoi Osmani, duke e potencuar se ky projekt ka rëndësi strategjike për vendin tonë, nga disa arsye: si projekt me të cilin ndërlidhet Shkupi dhe Prishtina me autostradë; projekt që paraqet pjesë të ashtuquajtur “konektiviti” agjendë për ndërlidhjen e vendeve të Ballkanit Perëndimor; si dhe autostradë që do të mundësojë avancimin e shkëmbimit tregtar, do të sigurojë potencial për progres ekonomik, potencial për biznesin etj.
“Me këtë projekt, jo vetëm që Maqedonia dhe Kosova bëhen fqinj më të afërt, por dy vendet krijojnë korridore për avancimin e ndërlidhjeve evropiane, duke ndërtuar ardhmëri evropiane për dy vendet” - theksoi Osmani. Ai potencoi se për këtë projekt tani më është siguruar grand nga 1,3 milion eurosh mjete të IPA-s që janë të pakthyeshme; për ndërtimin e rrugës është kërkuar mbështetje financiare në kuadër të Kornizës Investuese për Ballkanin Perëndimor (WBIF) nga 27 milion eurosh, si dhe mjete të pakthyeshme; për pjesën e mbetur, Osmani theksoi huan e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, si një ndër financuesit kryesor të këtij projektit.
Në konferencën për shtyp fjalët e tyre kishin edhe Ministri për Transport dhe Lidhje, Goran Sugareski, si dhe Drejtori i Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore, Zoran Kitanov. Ata theksuan se për realizim më të shpejtë të projektit, ndërtimi i autostradës Shkup - Bllacë është ndarë në dy pjesë, me qëllim për përfundim sa më të shpejtë të projektit dhe fillimin e punëve ndërtimore të pjesës më të shkurtë. Pjesa e parë, në gjatësi prej rreth 2.0 km, fillon nga pika kufitare “Bllacë”deri në hyrjen e parë “Bllacë”, respektivisht lidhja me rrugën lokale drejt f. Bllacë, për ndërtimin dhe mbikëqyrjen e të cilit mjetet janë siguruar nga buxheti i NP për Rrugë Shtetërore dhe realizimi i të cilit pritet që sa më shpejtë të fillojë. Pjesa e dytë, është nga hyrja “Bllacë” deri në Shkup (hyrja “Stenkovec”), në gjatësi prej 10,5km., siç sqaruan folësit, paraqet projekt të komplikuar ndërtimor, ku janë paraparë 4 tunele në gjatësi prej 4 kilometrash, 8 urra dhe objekte tjera. Realizimi i këtij projekti pritet të zgjasë 3 vite.