Kryeministri Zaev me Kryetarin e Drejtorisë Italiane për Anti-korrupsion, Kantone: Urime për proceset reformuese në Maqedoninë e Veriut, shprehim mbështetje për luftën e përbashkët kundër korrupsionit

Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, bashkë me drejtorin e Drejtorisë së Policisë Financiare, Arafat Muaremi, u takua me Kryetarin e Drejtorisë Kombëtare Italiane për Anti-korrupsion, Rafaele Kantone, i shoqëruar nga bashkëpunëtorët e tij dhe ambasadorin e Republikës së Italisë, Carlo Romeo.

Në takim u shpreh mbështetje për Marrëveshjen e arritur me Greqinë, e cila u vlerësua si hap i madh dhe i rëndësishëm drejt realizimit të suksesshëm të përpjekjeve të Republikës së Maqedonisë së Veriut për integrimin evropian dhe euroatlantik.

Gjithashtu, u theksua përkushtimi i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut për vazhdimin e reformave në sistemin gjyqësor, administratën publike, shërbimet e sigurisë dhe kundërzbulimit dhe luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Në takimin me përfaqësuesin e lartë të Drejtorisë Kombëtare Italiane për Anti-korrupsion  pozitivisht u vlerësua miratimi i Ligjit për Parandalimin e Korrupsionit dhe Konfliktit të Interesave, si dhe përzgjedhja dhe emërimi transparent i anëtarëve të Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK) në Maqedoninë e Veriut.

Dy delegacionet u pajtuan se Maqedoninë e Veriut dhe Italinë i lidh miqësi dhe bashkëpunim i sinqertë, me qëllim dhe mbështetje për të thelluar dhe konkretizuar hapat e ardhshëm, që të dy vendet do t’i ndërmarrin në fushën e luftës kundër  korrupsionit, shkëmbimit  të përvojave, ideve, praktikave dhe masave të përbashkëta në fusha të tjera.

Në këtë drejtim, është edhe Konferenca e nesërme “Reformat institucionale në luftën kundër korrupsionit, praktikat më të mira ndaj modelit evropian – shembulli italian”, që e organizon Misioni i OSBE-së dhe ambasada italiane në Shkup,  në të cilën do të merr pjesë dhe do të mbajë fjalim Kryeministri Zaev. Pjesëmarrësit në Konferencë do të kenë mundësi të njihen me praktikën italiane në luftën kundër korrupsionit dhe gjithashtu do të diskutohet për organet e pavarura kompetente përgjegjëse për anti-korrupsion, reformat e rëndësishme dhe perspektivat për integrim të vendit në Bashkimin Evropian.