U nënshkruan marrëveshjet për shpalljen e investimeve në tokë shtetërore me qira, 11 milionë euro investime të reja në bujqësi

Sot në Qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut sot u bë nënshkrimi i marrëveshjeve të para nga shpallja e investimeve për dhënien me qira të tokës bujqësore shtetërore mbi 3 hektarë me agro biznesmenë dhe bujq. Ajo që e ndryshon këtë shpallje nga të parat është se bëhet fjalë për shpallje e cila përveç rritjes së mbjelljeve dedikohet edhe për investime në bujqësi dhe zhvillimin rural. Konkretisht, në vendet për të cilat sot u nënshkruan marrëveshjet, përveç prodhimeve primare, do të ndërtohen edhe kapacitete përpunimi nga degë të ndryshme bujqësore, si kantina vere, thertore, serra (oranzheri), kapacitete  të përpunimit për pemë dhe perime e të tjera.

Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, theksoi se kjo shpallje është e rëndësishme për modernizimin e bujqësisë, por edhe për sigurimin e një plasmani të sigurt të prodhimeve bujqësore dhe zgjidhjen e problemeve që paraqiten me tepricat e prodhimeve, por edhe për hapjen e vendeve të reja të punës dhe zhvillim ekonomik lokal.

“Nënshkrimi i sotëm i marrëveshjeve të para për dhënien e tokës shtetërore me qita mbi 3 hektarë, është edhe një dëshmi për angazhimin tonë të fortë të krijojmë politika, të cilat do të kontribuojnë për bujqësi moderne dhe evropiane. Për herë të parë shteti ndan tokë shtetërore bujqësore me qira për të cilën bujqit dhe agro biznesmenët kanë mundësi përveç prodhimit primar të përgatisin edhe plan biznesi për kapacitete të përpunimit. Në këtë mënyrë e rrumbullakojmë zinxhirin  midis prodhimit bujqësor primar dhe final dhe krijojmë kushte për prodhime me konkurrencë me vlerë të shtuar më të lartë. Kjo është shumë e rëndësishme për shtetin tonë”, theksoi Kryeministri Zaev në fjalimin e tij.

Zëvendëskryetari i Qeverisë për Çështje Ekonomike, Koço Angjushev, theksoi se krahas industrisë, ndërtimtarisë dhe tregtisë, bujqësia është shtylla e katërt bartëse e ekonomisë në  Republikën e Maqedonisë së Veriut. Në vitin 2018, theksoi Angjushev, u vërejtën norma pozitive të rritjes në industrinë prodhuese, përderisa në gjysmën e dytë të vitit, pas tejkalimit të çështjeve teknike dhe juridike dhe periudhës së ngecjes, ndërtimtaria u rikthye në drejtim të duhur. Qeveria me përkushtim punon edhe në realizimin e projekteve me të  cilat do të mund të modernizohet dhe të zhvillohet bujqësia, që do të kontribuojë për norma më të larta të bruto prodhimit të vendit dhe zhvillimit ekonomik të vendit.

“Qeveria dhe Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave vërejtën se ka mungesë në kapacitetet e përpunimit për prodhimet bujqësore, ndërsa përmes këtij programi, me të cilin ndahet tokë bujqësore mbi 3 hektarë, stimulohet hapja e kapaciteteve të reja të përpunimit dhe qendra të blerjes, përkatësisht krijimi i prodhimeve me vlerë të shtuar më të lartë, pikërisht ajo që mungon në bujqësi dhe ekonomi. Pritjet tona në të ardhmen janë që të zvogëlohet shitja e prodhimeve bujqësore të papërpunuara sezonale me çmime të ulëta dhe në vend të kësaj të rritet prodhimi dhe shitja e prodhimeve me vlerë të shtuar nga industria në proces për përpunimin e prodhimeve bujqësore”, theksoi zëvendëskryetari i Qeverisë, Angjushev.

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave potencoi se ankandi publik u zbatua në 20 tërësi gjeografike në 13 komuna dhe për të gjithë ato u lidhën marrëveshje, për gjithsej 1.341 hektarë. Investimi i përgjithshëm që drejtpërdrejtë do bëhet në bujqësi nëpërmjet të kësaj shpallje në 5 vitet  e fundit është 11 milionë euro.

“Kjo është shpallja e parë investuese e këtij lloji dhe menjëherë pas zgjedhjeve presidenciale do të vijojë shpallje e re e tillë që është tani më e përgatitur. Bëhet fjalë për parcela atraktive bujqësore në të cilat përveç prodhimit bujqësor primar do të ketë edhe kapacitete të përpunimit. Me rëndësi është që qiraja mesatare për hektarë në ankandin publik është rritur mjaftueshëm. Nëse mesatarja e shpalljeve të kaluara ka lëvizur prej 90 deri 100 euro, tani në këtë shpallje qiraja mesatare arrin 258 euro për hektarë. E gjithë kjo është rezultat i klimës afariste të mirë dhe hapave të shëndosha që Qeveria i ka hartuar dhe shtruar”, theksoi ministri Nikollovski.

Të gjithë nënshkruesit e marrëveshjeve për shpalljen e investimit janë edhe shfrytëzues potencial të masave të IPARD programit, që janë mundësi plotësuese për modernizimin e bujqësisë së vendit.