Filloi vizita historike e Kryeministrit Cipras dhe delegacionit të Qeverisë së Greqisë në Republikën e Maqedonisë së Veriut

Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, z. Zoran Zaev dhe anëtarët e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, para Qeverisë pritën në takim Kryeministrin Aleksis Cipras dhe delegacionin e Qeverisë së Greqisë, të cilët qëndrojnë në vendin tonë në vizitë zyrtare njëditore.

Pritja përfundoi me prezantimin e anëtarëve të dy delegacioneve, e më pas vijoi takimi tet-a-tet i kryeministrave Zaev dhe Cipras, ndërsa ministrat e të dyja vendeve i filluan takimet dypalëshe.

 

Sipas Programit të vizitës zyrtare të Kryeministrit Cipras dhe delegacionit të Qeverisë së Greqisë, takime dypalëshe realizuan ministrat dikasterial për mbrojtje, Zëvendëskryetarja e Qeverisë së RMV-së dhe ministre e Mbrojtjes, Radmilla Shekerinska dhe ministri i Mbrojtjes së Qeverisë së Greqisë, Evangelos Apostolakis dhe Zëvendëskryetari i Qeverisë së RMV-së i ngarkuar për Çështje Evropiane, Bujar Osmani me Anastasija Sija Anagnastopulu, ministre alternative për Punë të Jashtme e Greqisë.

Zëvendëskryetari i Qeverisë së RMV-së i ngarkuar për Çështje Ekonomike, Koço Angjushev dhe ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi, u takuan me Zëvendëskryeministrin dhe ministër i Ekonomisë dhe Zhvillimit në Qeverinë e Greqisë Joanis Dragasakis dhe me ministrin e Mjedisit Jetësor dhe Energjetikës, Georgios Statakis, ndërsa ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujerave, Lupço Nikollovski, realizoi takim me homologun e tij nga pala greke, ministrin për Zhvillimin e Bujqësisë dhe Ushqimit, Stavros Arahovitis.

Takim të përbashkët kishin edhe ministrat e Shëndetësisë, Venko Filipçe dhe Andreas Ksantos, si dhe ministri i Vetëqeverisjes Lokale, Suhejl Fazliu dhe ministrja pa portofol e ngarkuar për Investime të huaja, Zorica Apostollska, të cilët realizuan takim me zëvendësministren e Punëve të Jashtme për Maqedoninë dhe Thrakinë, Elefteria Hacigeorgiu.

Ministri për Transport dhe Lidhje në Qeverinë e RMV-së Goran Sugarevski, realizoi takim me homologun e tij, ministër për Infrastrukturë dhe Transport, Kristos Spircis, ndërsa ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Damjan Mançevski dhe ministri pa portofol, i ngarkuar për Komunikime, Transparencë dhe Llogaridhënie Robert Popovski realizuan takim të përbashkët me ministrin për Digjitalizim, Telekomunikime dhe Media, Nikollaos Papas.

Takim të veçantë kishin edhe zëvendësministri i Punëve të Jashtme Andrej Zhernovski dhe zëvendësministri i Punëve të Jashtme i Greqisë, Markos Bolaris.

 

 

 

Në vazhdim të aktiviteteve të sotme, dy delegacionet e mbajtën mbledhjen e parë të Këshillit të lartë për bashkëpunim ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë, me të cilin do të kryesojnë, Kryetari i Qeverisë së RMV-së Zoran Zaev dhe Kryetari i Qeverisë së Greqisë Aleksis Cipras.

Në këtë mbledhje, ministrat e të dyja qeverive do të deklarohen për bisedat dhe konkluzionet nga takimet e veçanta të ndërsjella, e më pas do të vijojë nënshkrimi solemn i Planit të Veprimit për intensifikimin dhe rritjen e bashkëpunimit ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë, në përputhje me atë që është paraparë në Marrëveshjen e Prespës, si dhe marrëveshjet dhe memorandumet e tjera për bashkëpunim dhe realizim të projekteve konkrete  ndërmjet dy vendeve.

Menjëherë pas mbledhjes, Këshilli i lartë për bashkëpunim ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë, dy kryeministrat Zoran Zaev dhe Aleksis Cipras do të mbajnë konferencë të përbashkët për shtyp.

Kryetarët e Qeverive të RMV-së dhe Greqisë, Zaev dhe Cipras gjatë pasdites do ta përshëndesin punën e Forumit të biznesit, në të cilin përfaqësues të më shumë se 400 kompanive nga Greqia dhe Maqedonia e Veriut, do të bisedojnë për potencialet dhe bashkëpunimin e ardhshëm ndërmjet dy vendeve.

Kryetari i Qeverisë së Greqisë dhe delegacioni qeveritar i këtij vendi, do të kthehen me fluturim special nga aeroporti i Shkupit në orët e vona.