Filloi vizita zyrtare në Slloveni e delegacionit të Qeverisë së RMV-së udhëhequr nga Kryeministri Zaev në shoqërim të delegacionit të afaristëve

Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev bashkë me bashkëshorten e tij, Zorica Zaeva, zëvendëskryeministrin për Çështje Ekonomike, Koço Angjushev dhe ministren e ngarkuar për investime të huaja, Zorica Apostollska, u pritën me nderimet më të larta shtetërore nga Kryetari i Qeverisë së Sllovenisë, Marijan Sharec, si pjesë e programit të vizitës zyrtare.

Kryeministri i Sllovenisë dhe Maqedonisë së Veriut më pas mbajtën takim tet-a-tet në të cilin i konfirmuan marrëdhëniet tradicionale miqësore të shkëlqyeshme ndërmjet dy vendeve, si bazë për bashkëpunim ekonomik edhe më intensiv.

 

Kryeministri Zaev e njoftoi Kryeministrin e Sllovenisë për situatën politike aktuale në Republikën e Maqedonisë së Veriut, e cila me zgjedhjet presidenciale të realizuara në mënyrë të suksesshme dhe me ritmin e realizimit të proceseve reformuese, me të drejtë e pret aprovimin e fillimit të hapjes së negociatave për kapitujt e Komisionit Evropian.

 

Në këtë drejtim, Kryeministri Zaev theksoi se për vendin tonë, me rëndësi të veçantë do të jetë që Sllovenia të vazhdojë fuqimisht ta mbështesë vendin tonë mes partnerëve evropianë në fazën e aderimit të Maqedonisë së Veriut në anëtarësinë e NATO-s dhe BE-së, duke pasur parasysh që Sllovenia ka ndikim dhe rol të rëndësishëm në BE.

Në takimin ndërmjet dy kryeministrave u ndanë pritjet pozitive nga Forumi i përbashkët i biznesit në organizim të odave ekonomike të Maqedonisë së Veriut dhe Sllovenisë.

 

Sipas programit të vizitës zyrtare të delegacionit të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Kryeministri Zaev do të realizojë takim edhe me Presidentin e Sllovenisë, Borut Pahor dhe me Kryetarin e Kuvendit të Sllovenisë, Dejan Zhidan.