Kryeministri Zaev dhe zëvendëskryeministri Angjushev para përfaqësuesve të kompanive më të mëdha gjermane: Kjo është kohë e duhur për investime në Maqedoninë e Veriut në një mjedis të parashikueshëm dhe të qëndrueshëm për zhvillim

Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev dhe zëvendëskryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, i ngarkuar për koordinim me resorët e ekonomisë, Koço Angjushev, sot në takimin e punës me përfaqësuesit e një pjese të kompanive më të mëdha nga Republika Federale e Gjermanisë, diskutuan rreth potencialeve për bashkëpunim dhe investime në Maqedoninë Veriore.

 

Kryeministri Zaev i njoftoi drejtorët ekzekutivë dhe anëtarët e këshillave drejtuese të kompanive gjermane se ndryshimet politike dhe demokratike në vend, për të cilat Maqedonia e Veriut mori mirënjohjet më të larta nga BE dhe bashkësia ndërkombëtare, duke përfshirë rekomandimin e fundit të pakushtëzuar të Komisionit Evropian për fillimin e negociatave me BE me hapjen e kapitujve, krijuan klimë të favorshme për zhvillim ekonomik dhe mjedis që ka mbështetje serioze për investitorët e huaj.

“Rezultatet e arritura prej 4,1% rritje të BPP-së në tremujorin e parë të vitit, për dallim nga recesioni prej 1,8% në tremujorin e parë para dy viteve, rritja e prodhimit industrial dhe ulja e papunësisë pothuajse 5% për dy vite, janë vetëm një pjesë e rezultateve të siguruara nga mbështetja e politikave qeveritare për të mbështetur biznesin.

Së bashku me biznesmenët nga sektori komercial, krijojmë kushte që biznesi të bëjë fitime, por edhe të përshpejtojë zhvillimin e vendit”, tha Kryeministri Zaev dhe shtoi se do të vazhdojnë politikat e reformave në administratën publike që të jetë shërbim  për biznesin dhe qytetarët.

 

Në fjalimin e tij para përfaqësuesve të një pjese të kompanive më të mëdha gjermane, zëvendëskryeministri Angjushev theksoi se tani është kohë e duhur për investim në Maqedoninë e Veriut.

 

“Mbështetja e shtetit për investitorët e huaj shkon deri në 50% nga investimi i përgjithshëm i investitorëve për shumë arsye. Edhe më shumë, politikat tona sigurojnë

 

një mjedis të parashikueshëm dhe të qëndrueshëm për fillimin dhe zhvillimin e investimeve. Mbështetja e kompanive vendore i bën partnerë të përshtatshëm të kompanive të huaja, ndërsa kushtet që i krijojmë në zonat e zhvillimit tregtar dhe industrial sigurojnë standarde evropiane për kompanitë që duan të fillojnë “investim grinfilld”, theksoi zëvendëskryeministri Agjushev dhe shtoi se rekomandim i fortë për investime të reja janë kompanitë që tanimë veprojnë në Maqedoninë e Veriut që vijnë nga SHBA-ja, Kanadaja, Republika Federale e Gjermanisë, Austria, Greqia dhe vendet e tjera të zhvilluara.

 

Përfaqësuesit e kompanive gjermane, anëtarët e këshillave drejtuese dhe drejtorët ekzekutivë nga telekomunikimi, energjetika, tregtia, industria e farmacisë dhe informatikës, theksuan përvojat e deritanishme pozitive nga bashkëpunimi me Maqedoninë e Veriut dhe me kompanitë e vendit dhe u pajtuan se zhvillimi i përgjithshëm pozitiv hap perspektiva të reja për bashkëpunim dhe për investime të reja.