Organizata botërore e tregtisë (OBT) ka dhënë vlerësime të larta për politikën tregtare që mbështetet në reformat e bëra, për rritjen e dukshme ekonomike dhe konkurrueshmërinë e vendit përgjatë gjashtë viteve të fundit.
Nga data 15 deri më 17 korrik në Selinë e OBT-së në Gjenevë, Maqedonia e Veriut ka prezantuar revizionin e dytë të politikës tregtare. Siç është vërejtur në raportin përfundimtarë të vendeve anëtare të OBT-së, vendi ka bërë përparim të veçantë në rregullativën për biznes që synon përmirësimin e kushteve për investitorët vendas dhe të huaj. Anëtarët e OBT-së kanë mirëpritur masat e ndërmarra në drejtim të tërheqjes së investimeve të huaja, zbatimin e legjislacionit të ri doganor që është harmonizuar me legjislacionin evropian, përparimin e bërë në politikën e transportit, ku jepet mundësia për funksionalitet të plotë të Korridorit 10 dhe intensfikimin e pjesës hekurudhore të Korridorit 10, si dhe fazën intensive për realizimin e Korridorit 8.
Si reformë shumë pozitive, që është bërë në dy vitet e fundit, janë dokumentet strategjike në fushën e politikës industriale, konkurrencës, sipërmarrjes së grave, përkrahjes së ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, politikës bujqësore, pronës industriale dhe politikës së transportit. Nëpërmjet këtyre dokumenteve, konfirmohet se Republika e Maqedonisë së Veriut zhvillon mekanizma për ta sjellë atë në një nivel më të lartë se ai që është në vend.
Anëtarët e OBT-së vunë në dukje përpjekjet dhe suksesin e vendit në zgjidhjen e mosmarrëveshjes së emrit me Greqinë, i cili hapi dyert e vendit për bashkëpunim më të madh rajonal.
Ata kërkuan që Republika e Maqedonisë së Veriut të vazhdojë me vendosmëri rrugën drejt përmirësimit të ekonomisë. Anëtarët treguan interes në reformat e bëra në fushën e përmirësimit të tregut të punës, reduktimin e ekonomisë gri dhe reformat e administratës publike, si dhe sistemin e taksave, për të cilat deklaruan se në të ardhmen duhet të jenë fokusi kryesor i politikave ekonomike të Qeverisë.
Revizioni i radhës duhet të jetë për gjashtë vjet, por nëse Maqedonia e Veriut bëhet anëtare e Bashkimit, kjo nuk do të ndodhë. Vendi ynë është anëtare e Organizatës Botërore të Tregtisë që nga prilli i vitit 2003.