Takimi i Kryeministrit Zaev me ambasadorin e ri holandez Kop: "Mbështetje për politika të dialogut të hapur dhe pritje për të ruajtur vazhdimësinë në reformat gjyqësore, të rëndësishme për qytetarët dhe BE-në"

Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, sot u takua me Dirk Jan Kop, Ambasadorin e sapoemëruar të Mbretërisë së Holandës, në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

 

Në takim u konstatua se Republika e Maqedonisë së Veriut dhe personalisht Kryeministri Zaev, duhet të jenë krenarë për arritjet e deritanishme në zhvillimin demokratik. U shpreh mbështetja për politikat e dialogut të hapur të Kryeministrit Zaev dhe të Qeverisë. Në këtë drejtim, u vlerësua se ky shtet po punon në institucione funksionale, si dhe në inkurajimin e zhvillimit të mëtutjeshëm, e veçanërisht në kapacitetet e shtetit të drejtësisë.

 

Bashkërisht u konstatua se sigurimi i sundimit të së drejtës menjëherë do të thotë edhe një ekonomi më e mirë.

 

Kryeministri Zaev shprehu mirënjohje për mbështetjen e vendeve evropiane, përfshirë edhe Mbretërinë e Holandës, për kontributin dhe ndihmën për vendin tonë në krijimin e institucioneve funksionale, duke përfshirë edhe mbështetjen në sferën e drejtësisë. Ai theksoi se Republika e Maqedonisë së Veriut është shtet me Kuvend funksional, përmes të cilit me konsensus janë miratuar reformat kryesore të cilat tani duhet të sjellin përfitime për qytetarët në kuptimin e integrimeve dhe ekonomisë dhe se Qeveria është e angazhuar për dialog efektiv me opozitën, në emër të historisë moderne që po jeton shteti ynë dhe perspektivat e hapura.

 

- Duhet të ketë zhvillim të kapaciteteve, veçanërisht në sistemin e gjyqësorit në të cilin kemi investuar shumë përmes procesit të reformës, në të cilin kanë kontribuar edhe vendet anëtare të BE-së. Është e nevojshme të sigurohen garanci për lëndët e hapura nga PSP-ja, pasi që duhet të jemi përgjegjës para qytetarëve dhe shtetit. Gjyqësori tashmë është duke ndërmarrë hapa me të cilat dëshmohet se sistemi po funksionon në mënyrë profesionale dhe të pavarur. Ligji për Prokurorinë Publike nuk është detyrim ndaj BE-së, por është një argument i mirë para Këshillit të BE-së në tetor, që si shtet jemi të gatshëm të zhvillojmë kapacitetet e institucioneve në një mënyrë evropiane. Në këtë frymë po i vazhdojmë edhe bisedimet me opozitën dhe besojmë se një marrëveshje është e mundur, kudo që ka vullnet për një zgjidhje, tha ndër të tjera, Kryeministri Zaev.

 

Në takim u shpreh edhe mbështetja e BE-së për vlerësimin e përparimit individual të Republikës së Maqedonisë së Veriut, në prag të Këshillit të BE-së në tetor.

 

Gjithashtu u konstatua se Republika e Maqedonisë së Veriut tani më është e dukshme në tregun ekonomik, si dhe që ekzistojnë kushte dhe vullnet i ndërsjellë për bashkëpunim ekonomik më të madh mes vendit tonë dhe Mbretërisë së Holandës.