Kryeministri Zaev dhe ministri i Punëve të Jashtme Dimitrov realizuan takim me diplomatët e SHBA-ve Riker dhe Palmer: Data për fillimin e negociatave me BE-në është në interes edhe të SHBA-ve

Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev dhe ministri i Punëve të Jashtme Nikola Dimitrov, në kuadër të aktiviteteve të tyre në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të 74-të të KB-së në Nju Jork, realizuan takim me përfaqësuesit e lartë të Departamentit të Shtetit të SHBA-ve, Ndihmës-sekretarin Shtetëror Filip Riker dhe Përfaqësuesin Special për Ballkanin Perëndimor, Metju Palmer.

 

 

Në takim, Kryeministri Zaev theksoi se Maqedonia e Veriut është tërësisht e fokusuar në këtë periudhë për sigurimin e datës për fillimin e negociatave me BE-në në tetor, si dhe për avancimin në ratifikimin e Protokollit për aderim në NATO, dy qëllimet strategjike për shtetin për realizimin e të cilit SHBA-të dhanë kontribut të madh.

 

Këto qëllime për Maqedoninë e Veriut dalin edhe nga Marrëveshja për partneritet strategjik me SHBA-të, në të cilat  integrimet euroatlantike të vendit janë prioritet për sigurimin e stabilitetit dhe sigurisë së vendit, si dhe tërë rajonit.

 

Gjatë bisedës u hap edhe tema për thellimin e bashkëpunimit tregtar dhe ekonomik të të dyja vendeve pasi që ekzistojnë potenciale të mëdha.

 

Përfaqësuesit e Departamentit të Shtetit të SHBA-ve, Ndihmës-sekretari Shtetëror Filip Riker dhe Përfaqësuesi Special për Ballkanin Perëndimor, Metju Palmer, treguan interes edhe për ngjarjet aktuale politike në vendin tonë. Ata theksuan mbështetjen e tyre dhe të SHBA-ve në zbatimin e reformave, veçanërisht në pjesën e shtetit ligjor, sundimin e së drejtës dhe luftën kundër korrupsionit, si çështje të rëndësishme për realizimin e qëllimit të shumëpritur – datës për fillimin e negociatave me BE-në, që është edhe në interes të SHBA-ve.