Sekretari Shtetëror i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Majkëll R. Pompeo sot arriti në vizitë zyrtare njëditore në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Në aeroportin e Ohrit, Sekretari Shtetëror Pompeo, me nderime të larta shtetërore u prit nga ministri i Punëve të Jashtme në Qeverinë e RMV-së, Nikola Dimitrov dhe më pas bashkë me delegacionin e tij u drejtuan drejt qytetit të Ohrit në takime me kreun shtetëror.
Sekretari Shtetëror Pompeo, në vilën “Biljana”, sot realizoi takim me Presidentin e RMV-së, Stevo Pendarovski, pas së cilit do të vijojë edhe takimi me Kryetarin e Qeverisë së RMV-së, Zoran Zaev.
Pas takimit tet-a-tet mes Kryeministrit Zaev dhe Sekretarit Shtetëror Pompeo, është paraparë takim dypalësh, ku nga ana e Qeverisë do të marrin pjesë Kryetari i Qeverisë, Zoran Zaev, zëvendëskryetarja e Qeverisë dhe ministre e Mbrojtjes, Radmila Shekerinska,, zëvendëskryetari i Qeverisë i ngarkuar për Çështje Evropiane, Bujar Osmani dhe ministri i Punëve të Jashtme, Nikola Dimitrov.
Në takimet me kreun shtetëror do të bisedohet për bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve, për avancimin e RMV-së në procesin e anëtarësimit në BE dhe NATO, si dhe për çështjet që kanë të bëjnë me stabilizimin dhe prosperitetin e rajonit.
Në orët e pasdites Sekretari Shtetëror Majkëll Pompeo dhe delegacioni i tij në përbërje të Ndihmës Sekretarit Shtetëror Filip Riker dhe ambasadores së SHBA-ve në RMV, Kejt Mari Bërns, do të vizitojnë kishën “Shën Perivlepta” në Ohër, e cila ishte rinovuar dhe e mbrojtur me mjetet e siguruara përmes programeve të USAID.
Sekretari Shtetëror Pompeo, sonte nga RMV-ja niset për në Greqi, pasi paraprakisht ka vizituar Italinë dhe Malin e Zi.