Kryeministri Zaev në takim me Kryetarin e Parlamentit Evropian Sasoli: Çdo vendim tjetër përveç negociatave, do të jetë nxitje për procese regresive në vend

Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev sonte në Bruksel u takua me Kryetarin e Parlamentit Evropian, David Maria Sasoli.

 

Në takim, ku morën pjesë edhe zëvendëskryetari i ngarkuar për Çështje Evropiane, Bujar Osmani dhe ministri i Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov, Kryeministri Zaev i ka shprehur falënderim Kryetarit Sasoli për përkrahjen nga PE-ja dhe eurodeputetëve, prej të cilëve shumica e madhe e kanë pranuar rekomandimin e Komisionit evropian, që Maqedonia e Veriut pa kusht t’i fillojë negociatat për anëtarësim në BE.

 

Kryeministri Zaev theksoi se ende është optimist se vendimi për fillim të negociatave megjithatë do të miratohet në samitin e presidentëve dhe shefave të qeverive të vendeve anëtare të BE-së gjatë ditës së nesërme.

 

“Epilog tjetër përveç fillimit të negociatave për Maqedoninë e Veriut, si mirënjohje për reformat e realizuara dhe për vendimet serioze politike të vendit si plotësim të rekomandimeve të BE-së, do të jenë nxitje për forcat regresive në vend dhe sinjal dekurajues për vendet tjera në rajon lidhur me proceset e tyre eurointegruese”, tha mes tjerash Kryeministri Zaev në takimin me kryetarin e Parlamentit Evropian, Sasoli.

Në këtë takim, Kryetari i Parlamentit Evropian, Sasoli e konfirmoi miratimin pothuaj konsensual të eurodeputetëve për negociata me Maqedoninë e Veriut dhe theksoi se vendi është rrëfim i suksesshëm për Bashkimin Evropian, posaçërisht për shkak të mënyrës me të cilën janë zgjidhur çështjet me Greqinë dhe Bullgarinë.

 

Kryetari i Parlamentit Evropian, Sasoli tha se me këto porosi ai nesër do të drejtohet edhe në Këshillin e Evropës dhe do të kërkojë të përmbushet premtimi për vendim pozitiv për fillim të negociatave të Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Evropian.