Sot zyrtarisht shënojmë fillimin e punës së fabrikës së re “Baumer”, e cila në listën e saj prej 38 kompanive dhe filialeve në 19 vende në botë, ka vënë edhe këtë fabrikë në Maqedoninë e Veriut, tha Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev në ngjarjen solemne me rastin e fillimit të punës së kësaj fabrike në Zonën Tregtare Industriale 1 në Bunarxhik, Shkup.
Kompania “Baumer” nga Zvicra është një nga prodhuesit më të njohur botëror të senzorëve, instrumenteve matëse, ekzaminim dhe navigacion, sipas teknologjisë më moderne dhe përdoren në industrinë e automobilave, shkencën mjekësore, në industrinë e aviacionit, te pajisjet mobile, në sektorin e ndërtimit dhe në fusha tjera. Kompania ka mbi 2,500 të punësuar në botë, ndërsa në këtë fabrikë në vendin tonë, në të cilën do të investohen 4.7 milionë euro, në fazën e parë do të punësohen 150 qytetarë..
“Kompania “Baumer” dhe Qeveria e RMV-së i bashkojnë vlerat, siç janë partneriteti i sinqertë, përkushtimi në teknologjitë e larta dhe precizitet, si dhe frymën pioniere në qëllimin e vazhdueshëm për inovacion dhe aftësi konkurruese. Qeveria e RMV-së për të krijuar mjedis të përshtatshëm në tregun bashkëkohor, fokusin e politikave të saja për mbështetjen e investimeve të huaja dhe vendore, i vendosi në krijimin e lidhjeve afariste me kompani të tilla. “Baumer” është njëra nga ato. Bëhet fjalë për kompani e cila është sinonim për cilësi, kompetencë dhe produkte të sofistikuara dhe zgjidhje të cilat i plotësojnë standardet më të larta teknologjike dhe sigurt i plotësojnë nevojat e klientit në çdo kohë”, theksoi Kryeministri Zaev, dhe shtoi se si “Baumer”, ashtu edhe politikat e Qeverisë janë të orientuara drejt mbështetjes së koncepteve inovative, zgjidhjeve dhe teknologjive. Realizimi i këtij qëllimi gjithmonë do të mundësojë të jemi një hap përpara nga tregu dhe të afroheni drejt nevojave.
Në ceremoninë moderne, me rastin e lëshimit në punë të fabrikës Baumer në Maqedoninë e Veriut ku morën pjesë edhe pronarët e grupacionit Baumer dr. Oliver Vice dhe z. Kristijan Vice, zëvendëskryetari i Qeverisë së RMV-së Koço Angjushev, ambasadorja e Zvicrës në RMV znj. Sibil Suter Tehada, drejtori i Drejtorisë së Zonës së Zhvillimit Teknologjik Industrial, Aleksandar Mladenovski dhe mysafirë të tjerë, Kryeministri Zaev e ndau si veçanërisht të rëndësishëm edhe komponentin zhvillues në planin e biznesit në kompaninë, e cila planifikon ndërtimin e një ndërtese të re, për zgjerimin e prodhimtarisë dhe të formojë një qendër për hulumtim dhe zhvillim, me çka në fabrikën “Baumer” në Maqedoninë e Veriut do të hapen mundësi për 500 vende pune të reja shtesë.
Zëvendëskryetari i Qeverisë së RMV-së i ngarkuar për Çështje Ekonomike Koço Angjushev, gjatë fjalimit të tij, potencoi faktin që kompania “Baumer” është një nga më të mirat në botë me teknologjinë e lartë, dhe fabrika në vendin tonë është në harmonizim me politikat e mbështetjes së investimeve të huaja, në mënyrë që të tërhiqen sa më shumë kompani të tilla.
“Baumer” është një nga kompanitë ndërkombëtare me teknologji të lartë, kushtuar komponentëve për sisteme mehatronike dhe prodhimet e tyre të perfeksionuara dhe precize janë pjesë e paevitueshme në automobilistikë, industrinë e aviacionit, të teknologjisë mobile, në ndërtimtari dhe në mjekësi. I falënderoj që zgjodhën vendin tonë me çka vërtetohet se ligji për mbështetje financiare të investimeve është atraktiv dhe se tërheq interes të madh në botë. Në këtë drejtim për suksesin flasin edhe numrat që vetëm për dy vite, 20 kompani filluan të ndërtojnë fabrikat e tyre në Zonat e Zhvillimit Teknologjik Industrial, si dhe dhjetë të tjera jashtë zonave”, theksoi Angjushev.
Drejtori i Zonës së Zhvillimit Teknologjik Industrial, Aleksandar Mladenovski, uroi pronarët dhe menaxherët e “Baumer” për fillimin e punës së fabrikës së tyre.
“Për periudhë të shkurtë të dy anët dhe menaxherët e “Baumer” edhe ne nga Drejtoria për ZZHTI dhe nga resorët ekonomik në Qeverinë e RMV-së, kemi bërë përpjekje të mëdha dhe kemi arritur të gjitha pikat e ndërtimit të planifikuar dhe pajisjen e kapaciteteve të fabrikës për të filluar punën e saj", tha Mladenovski.
Oliver Vice, një nga pronarët e “Baumer” gjatë fjalimit të tij theksoi se vendimi i kompanisë të investojë në RMV u soll për shkak të politikave të favorshme për mbështetjen e investimeve të huaja, për shkak të ekzistimit të fuqisë së cilësisë së lartë punëtore, si dhe për shkak të qasjes deri te tregu i BE-së për plasimin e produkteve.
“Asnjëherë deri më tani nuk kemi ndërtuar kaq shpejt, dhe ajo që është me rëndësi të veçantë, është se kjo u arrit sipas standardeve tona zvicerane për ndërtim dhe fillim të procesit teknologjik. Këto kritere këtu janë të njëjta si ato në Zvicër apo në Gjermani”, theksoi dr. Oliver Vice, një nga pronarët e grupacionit “Baumer”.
Ambasadorja e Zvicrës në vendin tonë, Sibil Suter Tehada, theksoi se kompanitë e këtij vendi janë shumë të kujdesshme kur marrin vendime ku të investojnë.
“Pritjet e tyre janë shumë më tepër se fuqia e kualifikuar punëtore. Kompanitë nga Zvicra presin edhe mjedis të favorshëm dhe të parashikueshëm për biznes dhe kam kënaqësi të madhe të kumtoj se ekziston interes dukshëm i lartë i kompanive zvicerane që të investojnë në Maqedoninë e Veriut”, potencoi ambasadorja Suter Tehada.