Konferencë për shtyp e Kryeministrit Spasovski, ministrit Filipçe dhe epidemiologut Zharko Karaxhovski: Zbulohet rasti i parë i infektuar me korona virus, u ndërmorën të gjitha masat për kontrollimin e situatës

Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Oliver Spasovski, bashkë me ministrin e Shëndetësisë Venko Filipçe dhe epidemiologun, Zharko Karaxhovski, në konferencën e sotme për shtyp njoftuan se mëngjesin e sotëm është zbuluar rasti i parë i pacientes pozitivisht të testuar në virusin “Kovid 19”, e cila është e izoluar dhe sipas të gjitha protokollove shëndetësore është mbajtur në Klinikën për Sëmundje Infektive në Shkup.

“Në përputhje me të gjitha protokollet mjekësore, të gjitha institucionet kompetente janë në përgatitje të tërësishme për reagim të duhur lidhur me këtë rast të izoluar. Ju siguroj që nuk ka arsye për panik dhe se për momentin dhe në periudhën e ardhshme ndërmerren të gjitha masat sipas protokolleve të përcaktuara nga Organizata Botërore Shëndetësore”, tha Kryeministri Oliver Spasovski.

 

Ai falënderoi mediat për bashkëpunimin e deritanishëm konstruktiv, për përkushtimin dhe raportimin e masave që ndërmerren nga Qeveria për menaxhim me shfaqjen e eventuale të rasteve te infektuar me këtë virus.

 

Ministri i Shëndetësisë Filipçe dhe epidemiologu Karaxhovski disa herë e përsëritën se nuk ka vend për panik edhe dhanë detaje për pacienten dhe mënyrën si ajo ka arritur në vend.

“Pacientja pesëdhjetëvjeçare është e izoluar në Klinikën për Sëmundje Infektive dhe sipas informacioneve të deritanishme, ajo ka qenë dy javë më parë e sëmurë dhe besojmë se inkubacioni ka kaluar. Por, gjithsesi që bëjmë protokolle dhe i inspektojmë të gjitha rrugët dhe kontaktet që ka pasur pacientja”, tha ministri Filipçe.

 

Ai bëri thirrje të gjithë qytetarët tu përmbahen rekomandimeve qeveritare lidhur me korona virusin dhe informoi se edhe në Greqi sot është zbuluar një rast i infektimit me korona virus dhe se të gjitha ministritë shëndetësore fqinje edhe nga Serbia edhe  Shqipëria janë në kontakt të vazhdueshëm për shkëmbim të informatave.

 

Epidemiologu Zharko Karaxhovski njoftoi se ekipi i ekspertëve nga Instituti për Shëndet Publik (ISHP) me pajisje të plotë mbrojtëse, i kanë kryer analizë epidemiologjike pacientes, ajo sot është dërguar në Klinikë në repart të izoluar me hyrje të posaçme dhe se po ndërmerren të gjitha masat e nevojshme.

 

“E kemi situatën nën kontroll. Vazhdimisht jam në kontakt me ekipin tim, jam i qasshëm në telefon dhe ky person i infektuar me virus nuk parashtron rrezik për qytetarët e tjerë. Punojmë me algoritme të harmonizuara dhe po përgatitemi kohë të gjatë, Me këtë rast asgjë nuk ka ndryshuar. I kontrollojmë vendkalimet kufitare, japim rekomandime dhe nëse ndonjë person ka pasur kontakt me ndonjë që ka rrezik të ketë qenë i infektuar, menjëherë do ta izolojmë”, tha Karaxhovski i cili përsëriti se në aeroportin në Shkup ka ekipe mjekësore dhe se spitalet dhe klinikat në Shtip, Veles dhe Gostivar janë të përgatitura.

 

Në konferencën e sotme për shtyp u theksua se tani për tani nuk ka kurrfarë kufizime, as për pranimin e udhëtarëve nga Italia dhe shtetet e tjera, as se nuk ekzistojnë mundësi që të ndalohen manifestime apo ngjarje të çfarëdolloj natyre.

 

Në konferencën për shtyp u apelua deri te të gjitha kompanitë dhe institucionet ku ka të punësuar të cilët në periudhën e mëparshme kanë udhëtuar në Itali, të lirohen nga obligimet e punës dhe të jenë në izolim shtëpiak deri në 14 ditë.