Në konferencën e sotme për shtyp, ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe deklaroi se mbrëmë ka biseduar me drejtorin e Organizatës Botërore Shëndetësore për Evropë, Hans Klluge, pas shpalljes së pandemisë nga virusi korona – masat po ndërmerren në konsultim me OBSH-në.
“Prej 9 pacientëve në Klinikën për Sëmundje Infektive dhe Gjendje Febrile, gjashtë janë në gjendje stabile. Tek tre pacientë ka përkeqësim të lehtë të gjendjes, që do të thotë se kanë frymëmarrje të rënduar dhe ende nuk është e nevojshme mbështetje me respirator, megjithatë terapia po intensifikohet.
Tre pacientët janë më të moshuar – të tre janë mbi moshën 65/66 vjeçare. Gjatë mbrëmjes, nuk është testuar asnjë pacient, këtë mëngjes është paraqitur një pacient i cili më 7 mars ka ardhur shëndosh e mirë nga Gjermania, por për shkak të temperaturës së lartë sot është paraqitur në Klinikën Infektive. I presim rezultatet, është marrë material”, potencoi ministri Filipçe dhe shtoi se opinioni do të njoftohet për rezultatin e tij dhe rezultatet e të gjithë atyre që kanë qenë në izolim lidhur me të drejtat, ndërsa të cilëve iu skadoi periudha e izolimit 14 ditor.
Dje është emëruar drejtoresha e re e Klinikës për Dermatovenerologji. Të gjithë kolegët, mjekët, pacientët, të cilët ishin në kontakt me ish drejtoreshën – kanë kontakt me epidemiologët dhe për momentin asnjëri prej tyre nuk ka shenja sëmundjeje.
“Këtë mëngjes në takimin e rregullt të Komisionit për sëmundje infektive, të Komitetit për ndjekjen e gjendjes, shqyrtuam edhe një sërë masash shtesë, duke pasur parasysh me çka u ballafaquam me disa situata të cilat dolën nga masat e përcaktuara deri më tani të Qeverisë, rekomandime dhe ndalesa. Duhet të them se dje biseduam edhe me kolegë nga Italia, të cilët treguan se në pjesë të veçanta në shtet, para së gjithash në pjesët veriore, atje ku ka filluar epidemia, vetëm pas vendosjes së masave më rigoroze, nuk janë regjistruar raste të reja”, tha ministri Filipçe.
Potencojmë se këto propozime do të bëhen efektive pasi që të votohen në mbledhjen e ardhshme të Qeverisë.
Gjatë ditës së djeshme, ministri Filipçe kërkoi nga Kryetari i Qeverisë që të thërrasë edhe një mbledhje që të shqyrtohen propozimet e radhës të Komisionit për sëmundje infektive.
“Fillimisht, ndalim i të gjitha tubimeve publike dhe private, pa dallim nga sasia dhe numri i pjesëmarrësve – koncerte, teatro, kinema, salla sportive, palestra.
Kafenetë dhe restorantet të punojnë me orar të shkurtuar deri në orën 18:00 dhe kapaciteti brenda të jetë i përgjysmuar, që do të thotë të mbahet distancë për një metër e gjysmë deri në dy, ndërmjet personave që qëndrojnë aty. Të anulohen të gjitha shfaqet e kinemasë, ato teatrale dhe koncertet. Në bisedim me të gjitha institucionet e shëndetit publik, të gjithë pacientët me sëmundje kronike ndërhyrja e të cilëve mund të shtyhet do të anulohen, mbeten vetëm intervenime urgjente dhe e njëjta vlen edhe për kontrollet”, deklaroi ministri Filipçe.
Një masë shtesë është vazhdimi i terapisë për pacientët me sëmundje kronike, të cilët deri më tani duhej të shkojnë në mjek specialist. Nga ditët në vijim, të njëjtën do të mund ta realizojnë edhe te mjeku amë, me çka Fondi për Sigurim Shëndetësor do të bëjë ndryshim të rregullores. Kjo nuk do të vlejë për pacientët e diagnostikuar rishtas. Sidoqoftë, ata akoma do të duhet të shkojnë te një mjek specialist për këtë trajtim. Kryetari i Qeverisë bisedoi me përfaqësuesit e bashkësive fetare për respektimin e rreptë të masave.
“Në fund dua të shpreh falënderim deri te vullnetarët e Kryqit të Kuq, të cilët janë mbështetje e fortë e ekipeve tona, atje ku kemi kërkuar – ku ka kapacitet dolën në ndihmë. Falënderim deri te aplikacioni “Moj Vozduh”, i cili prej sot i shpërndan të gjitha aktivitetet dhe nismat të cilat i ndërmarrim. Më lejoni që në pajtim me pyetjet që arritën edhe në rrjetet publike dhe deri te Ministria e Shëndetësisë, të jap një koment edhe për dy punë. E para, kishte informacion se është përhapur panik në Dibër – pas kontrollit konkluduam se një gjë e tillë nuk është e saktë, qyteti funksionon normalisht, por duke pasur parasysh atë se është vendi i vetëm tek ne ku ka klaster të pacientëve mes së cilëve ka transmetim lokal, ekip i përforcuar i epidemiologëve dhe infektologëve sot dhe gjatë ditës së nesërme, do të kryejnë analiza epidemiologjike më të detajuara në të gjithë zonën”, potencoi ministri Filipçe.
Lidhur me masat për lëshim të punëtorëve në shtëpi, obligimet për këto 14 ditë i ndërmerr kompania ku ata punojnë. Të gjitha këto masa vlejnë deri më 24.03.2020.