Ministri Filipçe: Obligimi im si ministër është të bëjmë gjithçka për të mbrojtur shëndetin kolektiv, vazhdojmë të punojmë derisa të dalim fitimtarë nga kjo; U miratuan masa të reja për kufizimin e lëvizjes për fundjavën e ardhshme të zgjatur

Ministri i Shëndetësisë dr. Venko Filipçe në konferencën për shtyp njoftoi për masat që u miratuan në mbledhjen e djeshme të Qeverisë. Ai theksoi se analizat tregojnë se për momentin, ekzistojnë disa lokacione në vend ku ka përhapje të shpejtë të virusit dhe klasterë që ndodhin më shpesh si rezultat i mosrespektimit të masave të përcaktuara. .

“Grupimi i qytetarëve në tubimet familjare dhe festimet, mos mbajtja  e pajisjeve mbrojtëse, mosrespektimi i masave nga kompanitë për transport dhe organizim të punës dhe shkelje të tjera të ngjashme, janë arsyet kryesore për rritjen e shpejtë të sëmurëve të rinj në Shkup, rajoni Kumanovë-Likovë, Tetovë me komunat përreth, Shtipi dhe rrethina. Mirë është që në pjesën tjetër të vendit gjendja është stabile me raste sporadike. Kjo është vetëm konfirmim që strategjia ka dhënë rezultate atje ku janë respektuar masat ”, tha Ministri Filipçe.

Në konferencën për shtyp, Ministri Filipçe theksoi se për të parandaluar përhapjen e  mëtutjeshme të virusit në rajone kritike, por mbi të gjitha për të parandaluar përhapjen e mundshme të virusit jashtë këtyre rajoneve, Qeveria solli vendim të kthejë orën policore dhe kufizimet e lëvizjes.

“Zbatohet ndalimi i plotë i lëvizjes së të gjithë qytetarëve në Shkup (të gjitha komunat e Shkupit)  , Kumanovë, Likovë, Shtip, Kabrinci, Tetovë,  si dhe Bogovinjë, Bërvenicë, Tearcë, Zhelinë dhe Jegunovcë, duke filluar nga dita e enjte (4 qershor) prej orës 21:00 deri të hënën (8 qershor) deri në orën 05:00 të mëngjesit. Në të gjitha qytetet e tjera, ndalohet lëvizja e të gjithë qytetarëve nga dita e enjte (4 qershor) prej orës 21:00 deri të premten  (5 qershor)  deri në orën 05:00 të mëngjesit.  Kështu që në qytetet e tjera, të premten, të shtunën, të dielën ndalimi fillon nga ora 16:00 dhe zgjat deri ditën tjetër, deri në orën 05:00 të mëngjesit. Në periudhën nga dita e enjte (4 qershor) prej orës  21:00 deri të hënën (8 qershor) deri në orën 05:00, ndalohet vizita në varreza në territorin e tërë vendit, përveç në rastet e varrimeve", tha Ministri Filipçe.

Për aktivitetet bujqësore lejohet lëvizja në kuadër të territorit (zonës) së fshatrave, ekskluzivisht për nevoja pune.

Barnatoret do të punojnë pandërprere, ndërsa Ministria e Shëndetësisë do të përpilojë plan të përshtatshëm për punë të lirë të institucioneve shëndetësore.

“Përjashtimet e ndalimit të lëvizjes vlejnë për policinë, armatën, punonjësit shëndetësorë (në ISHP dhe ISHP, si dhe mjekët amë) dhe për marketet dhe restorantet të cilët ofrojnë produkte, gjë që ata  angazhimet e tyre do t’i kryejnë pa pengesa.  Të gjitha lejet e dhëna për lëvizje gjatë ndalimeve të mëparshme për lëvizje mbeten në fuqi, veçanërisht për operatorët ekonomikë dhe për punë të organizuar në ndërrime”, tha Filipçe.

Shëtitja e beniaminëve (qen) do të jetë në periudhat nga ora 08:00 deri në orën 08:30, 15:00 deri 15:30, dhe 20:00 deri 20:30. Ndalimi për lëvizje, nuk vlen për personat me aftësi të kufizuara dhe për shoqëruesit e tyre nëse ata kanë dokumentacionin e duhur.

Ministri Filipçe deklaroi se kjo valë e re është pasojë e drejtpërdrejtë e mosrespektimit të masave të përcaktuara qartë, por edhe e aktivitetit të vonuar ose të dobët për ndëshkim nga ministria kompetente.

“Shpresoj se më në fund edhe skeptikët e fundit do të kuptojnë që virusi nuk është shaka. Virusi nuk do të largohet derisa të gjithë nuk pranojmë se ai paraqet kërcënim për secilin  që nuk respekton masat e tij të mbrojtjes. Dhe pas afërsisht 100 konferencave për shtyp dhe mijëra thirrjeve dhe mesazheve të përsëritura, një pjesë e  qytetarëve ende refuzojnë të pranojnë realitetin. Të pranojnë që përgjegjësia i takon secilit individ. Me të vërtetë nuk duhet ta lejojmë vetëm pasi të sëmuremi të kuptojmë rrezikun e virusit. Ajo që po them tani nuk është aspak një frazë politike. Ky është një realitet, vetëm së bashku mund ta tejkalojmë krizën, assesi ndryshe. Me përgjegjësi pohoj se të gjitha masat, të gjitha vendimet dhe të gjitha mesazhet që i kemi dërguar publikut, ishin precize, të qëndrueshme  mjekësore dhe me kohë.

Strategjia dha rezultat, ne kemi rezultate dhe zhvillim të shkëlqyeshëm ashtu siç dëshiruam. Në fakt, siç thashë, dëshmia e kësaj janë komunat që janë plotësisht stabile, dhe dëshmia më e mirë e kësaj është komuna e Dibrës, ku me javë të tëra nuk ka pasur ndonjë rast të ri ", tha Ministri Filipçe.