Ministri i Shëndetësisë dr. Venko Filipçe, në konferencën për shtyp të mbajtur bashkë me ministrin e Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Damjan Mançevski në temë receta elektronike, theksoi se projekti për dhënien e recetave elektronike ka filluar para krizës së virusit COVID-19, me qëllim të shmangies së ardhjes së panevojshme të pacientëve e sidomos të pacientëve me sëmundje kronike tek mjeku amë dhe nëpër farmaci.
“U dëshmua se ky është një model dhe projekt i shkëlqyer dhe sidomos kriza e dëshmoi këtë, për shkak se kjo kategori e qytetarëve dhe pacientëve që më së shumti duam t’i mbrojmë në këtë situatë - pacientët me sëmundje kronike, tani i shmangen vajtjes së panevojshme nëpër ambulancat mjekësore. Me këtë vegël u modernizua procesi i shënimit dhe dhënies së ilaçeve pa letër, gjegjësisht nëpërmjet recetës elektronike dhe kjo e lehtëson në tërësi procesin e dhënies së recetave për pacientët, e me këtë përfitim kanë jo vetëm pacientët por edhe mjekët amë, farmacitë dhe Fondi për Sigurim Shëndetësor”, tha ministri Filipçe.
Ai theksoi se pacientët kanë qasje efikase deri te ilaçet. Mjekët amë tani më nuk janë të mbingarkuar me punë shtesë për plotësimin e recetës në letër, por tani receta softuerike drejtpërdrejtë është e qasshme nëpër farmaci dhe njëkohësisht Fondi për Sigurim Shëndetësor posedon informatë se cili mjek amë, për cilin pacient çfarë ilaçe shkruan.
“Sistemi deri më tani u tregua si i suksesshëm, nga 1 maji e deri më tani nëpërmjet këtij sistemi u krijuan mbi 3 milionë receta për terapi kronike dhe akute. Vendosja e dhënies elektronike të recetave është plotësimi i aktiviteteve për qasje të plotë deri te terapitë dhe ilaçet për pacientët dhe qytetarët, që filloi vitin e kaluar në muajin tetor, kur tërësisht i hoqëm kuotat për ilaçet me recetë në të gjitha farmacitë e vendit. Me këtë siguruam ilaçe për të gjithë pacientët, për të gjithë qytetarët tanë që kanë nevojë për ilaçe në çdo ditë të muajit, u shmangën rrëmujat, radhët, u shmang paniku. Me këtë arritëm një nga qëllimet tona që nëpërmjet politikave të vërteta shëndetësore të përforcojmë këtë segment të sistemit shëndetësor publik”, tha ministri Filipçe.
Në konferencën për shtyp, ai theksoi se të gjitha masat dhe projektet që realizohen për përmirësimin e jetës dhe shëndetit të pacientëve, por edhe për modernizimin gjegjësisht digjitalizimin e shëndetësisë, kanë për qëllim shërbime të përmirësuara dhe bashkëkohore për qytetarët, avancimin e kushteve dhe punës së punëtorëve shëndetësor.