Kryeministri Zaev në brifing me ambasadorët e BE-së: Prioritetet e Qeverisë sonë janë proceset për aderim në BE, vazhdojmë më mirë edhe me më shumë guxim në këtë mandat katërvjeçar

Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut ,Zoran Zaev, i shoqëruar nga Ljupço Nikollovski, zëvendëskryeministër për luftën kundër korrupsionit, për zhvillim të qëndrueshëm dhe burimeve njerëzore, Bujar Osmani, ministër i Punëve të Jashtme, Bojan Mariçiq, ministër i Drejtësisë dhe sekretarët shtetëror, Kalina Gaber nga Sekretariati për çështje Evropiane dhe Zoran Popov nga Ministria e Punëve të Jashtme, sot mbajtën brifing në mëngjes me ambasadorët e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian në shtetin tonë.

Në brifing, Kryeministri Zaev në emër të Qeverisë i prezantoi prioritetet strategjike në mandatin katërvjeçar me fokus të veçantë në integrimet euroatlantike të vendit.

Në fjalimin e tij Zaev tha se mandati i kaluar i Qeverisë bëri një kthesë të plotë në politikën e jashtme të vendit, hapjen dhe mbylljen e kontesteve me dekada me fqinjët, anëtarësimi në NATO dhe filloi procesin e transformimit për aderim në BE.

“Ky mandat do ti kushtohet reformave themelore në të gjithë shoqërinë. Jemi të vetëdijshëm për sfidat që kriza me virusin korona i ka sjellë, por përsëri do të jemi tërësisht të fokusuar në reformat në gjyqësor, ndërtimin e një ekonomie të re të transformuar, mbrojtje të ambientit jetësor dhe përmirësimin e standardit jetësor për të gjitha kategoritë e qytetarëve në vendin tonë”,deklaroi Zaev.

“Kemi plan të hapim 80% të kapitujve deri në vitin 2024, për të ndërtuar një strukturë negociuese të fuqishme me pjesëmarrje të të gjithë aktorëve, krijimin e programit buxhetor për bisedimet me BE-në. E përforcojmë personelin kadrovik dhe do të vazhdojmë të sigurojmë mbështetje për kapacitet me qëllim e implementimit të IPA3”, shtoi Zaev.

Zëvendëskryeministri për luftën kundër korrupsionit, zhvillimit të qëndrueshëm dhe burimeve njerëzore, Ljupço Nikollovski, para ambasadorëve i prezantoi prioritetet e kabinetit të tij.

“Në këtë mandat, e vendosëm këtë pozicion sepse vlerësuam se është e nevojshme që të kemi link të drejtpërdrejtë në mes Komisionit për Parandalimin e Korrupsionit me pushtetin ekzekutiv sipas rekomandimeve të GREKO-s nga marsi i vitit 2019. Në mënyrë shtesë, prioritet i kabinetit tim do të jetë zhvillim i qëndrueshëm dhe burimet njerëzore. Duhet të bëjmë një hap para drejt përmirësimit të arsimit, ambientit jetësor, shëndetësisë, por edhe klimës së biznesit për të gjithë qytetarët e vendit tonë”, tha Nikollovski.
Ministri i ri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, i prezantoi tre prioritetet kyçe të politikës së jashtme të vendit, korrespondojnë me ambiciet strategjike për integrim të përforcuar evropian dhe euroatlantik.

“Fokusi i parë gjithsesi është fillimi i bisedimeve me BE-në, si një hap kyç në realizimin e ambicies sonë strategjike, anëtarësimi i plotfuqishëm në BE. Në këtë pjesë sigurisht presim vazhdimësi të mbështetjes edhe nga partneri ynë strategjik SHBA dhe nga aleatët tjerë nga NATO, të cilët janë edhe mbështetës shumëvjeçar në çdo aspekt. Gjithsesi në kontekst të ngjashëm, pres të realizojmë jo vetëm vazhdimësi por edhe aktivitet në thellimin dhe avancim e marrëdhënieve fqinjësore, përforcimin e multilateralizmi dhe kontribut në implementimin e çdo iniciative rajonale”, theksoi Osmani.

Ministri i Drejtësisë, Bojan Mariçiq theksoi se vendimi për fillimin e bisedimeve më së shumti flet për përkushtimin tonë për drejtësi dhe evropianizim.

“Së bashku me partnerët tanë do të miratojmë një model i cili do të sigurojë pastrim efikas dhe efektiv të gjyqësorit. Nevojitet një sistem efikas i gjyqësorit i cili do të sigurojë luftë të shpejtë kundër korrupsionit me respektim të tërësishëm të të drejtave të njeriut. Me mbështetje të partnerëve tanë evropian do të sigurojmë edhe monitorim  të proceseve gjyqësore”, tha Mariçiq.

Ambasadori i Bashkimit Evropian, Samuel Zhbogar, në emër të Bashkimit Evropian i përcolli pritjet për reforma të shpejta dhe cilësore dhe theksoi se partnerët evropian të Maqedonisë së Veriut mbeten vazhdimisht të përkushtuar në ndihmën për vendin për të kapërcyer pasojat që dolën nga pandemi dhe angazhimet reformuese të Qeverisë së re.

Ambasadorët i përcollën edhe urimet e qeverive të tyre, si dhe pritjet për bashkëpunim të mëtejshëm intensiv si në planin bilateral, ashtu edhe në atë multilateral.