Takimi i kryeministrit Zaev dhe ambasadorit Çek Miroslav Toman: Vazhdon bashkëpunimi midis Maqedonisë Veriore dhe Republikës Çeke, me intensifikimin e masave për tejkalimin e krizës shëndetësore, por edhe me qëllim të rritjes së investimeve

Kryetari i Qeverisë, Zoran Zaev sot në kabinetin e tij e pranoi  ambasadorin çek, Mirosllav Toman, i cili e uroi për rizgjedhjen e tij për Kryeministër të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe i dorëzoi letër zyrtare urimi nga kolegu i tij çek, kryetari i Qeverisë së Republikës Çeke, Andrej Babish.

Në takim u vlerësua se edhe në të ardhmen do të vazhdojë bashkëpunimi i suksesshëm dhe mbështetja të cilën në vazhdimësi e jep Republika Çeke, si në raport me realizimin e prioriteteve strategjike,  anëtarësimin në NATO dhe fillimin e negociatave për anëtarësim në BE, për vendin tonë, dhe në drejtim të ndërmarrjes së masave adekuate për mposhtje të krizës ekonomike-shëndetësore të shkaktuar nga pandemia me Kovid-19

Kryeministri Zaev, shprehi kënaqësi dhe falënderim për mbështetjen që e jep Çekia si anëtare e Grupit të Vishegradit (V4), e cila është një ndër mbështetëset më të angazhuara ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor për plotësim të aspiratave për marrje të anëtarësimit në BE dhe angazhimit të shtuar të anëtareve të Aleancës së NATO-s.

U theksua edhe mbështetja që e merr Maqedonia e Veriut nga Republika Çeke, me dërgim të kontigjentit të policëve që merr pjesë në operacionet e përbashkëta për mbikëqyrje të shtuar në kufirin tonë jugor afër Gjevgjelisë.

Kryeministri Zaev dhe ambasadori Toman shprehën gatishmëri për vazhdim të marrëdhënieve bilaterale dhe shtim të bashkëpunimit ekonomik, përmes investimeve në sektorë të veçantë për nxitjen e rritjes së ekonomive në të dy vendet